Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Podujevës, Naim Fetahu, thotë se Podujeva ka nevojë për ndryshim rrënjësor pas 20 vjet keqqeverisje.
Në një intervistë në Sytë 7 në Klan Kosova, Fetahu shpalosi ofertën e tij për Podujevën.
“Podujeva ka nevojë të ndryshojë në të gjitha fushat pasi ka pasur keqqeverisje për 20 vjet”.
“Në Podujevë janë duke ikur rinia dhe bizneset kanë kaluar në Fushë Kosovë, Drenas e Prishtinë dhe bashkë me bizneset kanë ik edhe vendet e punës”.
“Ne (PDK) do t’i kushtojmë rëndësi hapjes së një qendre tregtare në pikën kufitare me Serbinë, në këtë mënyrë mendojmë që të kthejmë bizneset e kështu të kthejmë edhe vendet e punës”.
Fetahu mes tjerash tha se nëse bëhet kryetar vendimi i parë që do të merr është rritja e kapaciteteve shëndetësore ndaj COVID-19 për qytetarët e Podujevës.
“Duke pasur parasysh situatën me COVID-19 dhe keq menaxhimin që ka ndodhur në Podujevë, vendimi i parë që do të marrë nëse bëhem kryetar është që të rrisë kapacitetet shëndetësore ndaj COVID-19 për qytetarët”.
Fetahu tha se programi i tij për Podujevën jep përgjigje për të gjitha pa rregullsitë.
“Programi im jem përgjigje për të gjitha çështjet veçanërisht për administratën që është plakur. Me mua kryetar nuk do të lejoj që qytetarët të ikin nga Podujeva, nuk do të lejojë që studentët të ikin dhe do t’i mbështesë gjithmonë”.
“Do të jap mbështetjen më të madhe edhe për bujqit. Do të rregullojmë edhe infrastrukturën e dobët që kemi pasur deri tani”.
“Rëndësi do i kushtojmë edhe turizmit pasi që kemi vende të mira për turizëm sidomos atij malor bashkë me Batllavën”.
Tutje Fetahu tha se do të hap një zyrë për veteranët e luftës nga komuna e Podujevës.
“Do të kujdesem edhe për kategorinë e veçantë të popullsisë që janë familjet e dëshmorëve, veteranët dhe familjet e tyre. Tani ka zyrë për Shoqatën e Gjuetisë ndërsa jo për veteranët”.
Fetahu mes tjerash premtoi se nëse bëhet kryetar gjatë dy vjetëve të ardhshme të gjitha familjet që janë me asistencë sociale do të kenë nga një anëtar të familjes të punësuar.
●●●
NSHKRIMI NGA
NP
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.