Misioni paqeruajtës i OKB-së në Liban (UNIFIL) tha se dje rrëzoi një dron izraelit që fluturoi mbi një patrullë në jug të vendit.
UNIFIL tha se droni po fluturonte në një "mënyrë agresive" pranë qytetit kufitar Kfar Kila dhe se paqeruajtësit morën "kundërmasat e nevojshme mbrojtëse".
Megjithatë, ushtria izraelite pretendon se droni po kryente një "aktivitet rutinë të mbledhjes së inteligjencës".
"Hetimi fillestar sugjeron që forcat e UNIFIL-it të vendosura aty pranë qëlluan qëllimisht dronin dhe e rrëzuan atë. Aktiviteti i dronit nuk përbënte kërcënim për forcat e UNIFIL-it", tha zëdhënësi i ushtrisë izraelite, nënkolonel Nadav Shoshani.
Ai shtoi se forcat izraelite më vonë hodhën një granatë drejt zonës ku ra droni. "Duhet theksuar se nuk u drejtua asnjë zjarr ndaj forcave të UNIFIL-it. Incidenti po hetohet më tej përmes kanaleve të koordinimit ushtarak", theksoi ai.
UNIFIL raportoi se granata u hodh nga një dron i dytë izraelit "afër" patrullës, transmeton Klankosova.tv
Pavarësisht një armëpushimi që hyri në fuqi nëntorin e kaluar, i cili i dha fund luftës me lëvizjen Hezbollah të Libanit, Izraeli ka vazhduar të fluturojë dronë mbi Liban dhe të kryejë sulme ajrore kundër njerëzve dhe objektivave në Liban që thotë se janë të lidhur me Hezbollahun.
Ushtria izraelite thotë se po vepron për të parandaluar Hezbollahun të riorganizohet dhe të armatoset. OKB-ja dhe qeveria libaneze paralajmërojnë se veprimet e Izraelit janë një shkelje e sovranitetit të vendit dhe një shkelje e marrëveshjes së armëpushimit. /Klankosova.tv
●●●
VZSHKRIMI NGA
Vanesa Zhugolli
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.