Meriton Veliu dhe Flaka Pruthi janë fundosur në Kampionat Evropian. Dy notarët kosovarë, të cilët debutuan në këtë eveniment prestigjioz me Përfaqësuesen e Kosovës, kanë dëshpëruar me paraqitje, në evenimentin që u mbajt në Netanya të Izraelit, nga 2 deri më 6 dhjetor.
Pruthi ka përfunduar në pozitën e 37-të në disiplinën Flutur 50 metra, duke e mbyllur garën për kohën 30.95, në debutimin e saj në këtë kompeticion. Ajo përfundoi e 47-ta, përsëri e fundit, në disiplinën Shpinë, 50 metra, duke e mbyllur garën për kohën 32.05 sekonda.
Kurse, në disiplinën Stil i lirë, 50 metra, të dielën, në ditën e fundit të Evropianit, ajo përfundoi e 57-ta, duke e mbyllur garën për kohën 29.46 sekonda.
Derisa për nivelet evropiane, rezultatet e Flakës konsiderohen dëshpëruese, për notin kosovar, këto rezultate janë kulmore.
“Duke e pasur parasysh infrastrukturën në të cilën gjendet noti kosovar, këto janë rezultate të lakmueshme. Flaka ka thyer rekorde personale dhe të Kosovës, në Evropian. Ky është kapaciteti dhe mundësia momentale e notit kosovar”, u shpreh për “Zërin” sekretari i Federatës së Notit të Kosovës, Astrit Haliti.
Përjashtohet Meritoni
Meriton Veliu e ka pësuar një goditje të rëndë në Evropian. Në fakt, organizatorët e tij e kanë përjashtuar nga garat notarin kosovar, për shkak të moshës së re.
Në fakt, ai garoi në disiplinën e parë, stili Bretkosë, 50 metra, duke e mbyllur garën për kohën 32.95 sekonda, duke përfunduar i fundit, i 50-ti.
Mirëpo, me ankesë të Holandës, ai u përjashtua pasi ishte vetëm 16 vjeç, ndërsa garuesit në Evropian duhet të jenë mbi 17 vjeç.
●●●
LSHKRIMI NGA
LiZe
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.