Të paktën 14 persona kanë vdekur pasi një varkë që transportonte emigrantë u fundos në provincën perëndimore të Turqisë, Mugla.
Kjo u bë e ditur nga zyra e guvernatorit lokal, me ç’rast u theksua se një operacion kërkim-shpëtimi ishte duke u zhvilluar për të mbijetuarit e mundshëm.
Në një deklaratë, Zyra e Guvernatorit të Muglas tha se një burrë afgan që i mbijetoi katastrofës dhe notoi përsëri në kontinent kishte ngritur alarmin, raporton Reuters, transmeton Klankosova.tv.
Shtetasi afgan u tha shërbimeve të emergjencës se 18 persona ishin nisur me gomonen, por pak më vonë ajo ishte zhytur në ujë dhe ishte fundosur, tha zyra e guvernatorit.
Ekipet e kërkim-shpëtimit gjetën një të mbijetuar të dytë që kishte arritur të shkonte deri në ishullin Celebi pranë Bodrumit. Ata gjithashtu nxorën 14 trupa nga deti.
"Përpjekjet e kërkim-shpëtimit për migrantë të tjerë të parregullt që konsiderohen të zhdukur vazhdojnë me katër anije të rojes bregdetare, një ekip special zhytjeje të rojes bregdetare dhe një helikopter", shtoi zyra e guvernatorit.
Deti Egje është një rrugë e shpeshtë tranziti për mijëra emigrantë që përpiqen të kalojnë nga Afrika e Veriut dhe Lindja e Mesme në Evropë, veçanërisht nga Turqia e cila strehon miliona refugjatë nga Siria, Iraku dhe Afganistani.
Numri i migrantëve të parregullt të kapur në Turqi arriti kulmin në vitin 2019 me gati 455,000 njerëz, kryesisht nga Afganistani dhe Siria, sipas Presidencës së Menaxhimit të Migracionit.
●●●
SZSHKRIMI NGA
Sh Z
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.