Deputeti i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Fatos Geci, ka kërkuar falje publikisht për gjuhën e përdorur ndaj deputetes së PDK-së, Vlora Çitaku.
Në sqarimin e tij, të dhënë përmes një postimi në Facebook, Geci tha se shprehjet që ka përdorur nuk e pasqyrojnë nivelin e komunikimit që ai përfaqëson.
”Dua të shpreh keqardhjen time të sinqertë për mënyrën se si jam shprehur ndaj një deputeteje në Kuvend të Republikës së Kosovës. Shprehjet e përdorura nuk pasqyrojnë nivelin e komunikimit që përfaqësoj e besoj! Shpreh keqardhje që nuk arrita ta ruaj maturinë dhe ula nivelin e komunikimit në të sajin, i ndikuar nga provokimet dhe ofendimet që m’u bënë.”
Megjithatë, ai s’ka lëvizur nga qëndrimi i tij ndaj siç tha ai “individëve të caktuar”, duke iu referuar edhe ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, për të cilin ka pasur një deklaratë skandaloze, me urimin për burg të përjetshëm.
“Gjithashtu, dua të jem shumë i qartë në qëndrimet e mia të palëkundura ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Unë kam respekt dhe mirënjohje të thellë për UÇK-në, kontributi i saj është i pakrahasueshëm dhe i përjetshëm. Me respekt dhe nderim i kujtoj të gjithë ata që kanë rënë, por mbeten të gjallë në kujtesën dhe zemrën time.
Megjithatë, kjo nuk nënkupton që mund të mbështes individë të caktuar që, në rrethana të caktuara, kanë qenë të përfshirë në veprime që kanë prekur dhe rrezikuar drejtpërdrejt familjen time. Ata që kan vetëm pak njohuri per Komunikatën 59, i kuptojnë qëndrimet e mia. Nuk mund ta harroj frikën dhe pasigurinë për të dalë i qetë nga shtëpia dhe për t’u kthyer sërish i sigurt, duke i gjetur të gjallë prindërit dhe familjen time të madhe.
Këto përvoja janë të thella dhe më bëjnë që, përtej respektit të përgjithshëm për luftën e pastër të UÇK-së dhe vlera të larta, të kem qëndrime të rezervuara ndaj individëve të caktuar. Këto përjetime formësojnë qëndrimet e mia.” /Klankosova.tv
●●●
AHSHKRIMI NGA
Alberta Hyseni
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.