Një muaj paraburgim i është caktuar Ramadan Morinës, i dyshuar për krime të luftës në Kosovë.
Vendimi u mor sot nga Gjykata Themelore e Prishtinës.
Në dosjen e organeve të drejtësisë, thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se Morina kishte marrë pjesë në vrasjen e 34 civilëve në fshatin Burim të Malishevës.
"Ekziston dyshimi i bazuar se me datë 31 mars 1999, i pandehuri R.M kishte qenë pjesëmarrës në krimet e kryera në fshatin Burim të Malishevës, po ashtu dyshohet se në të njëjtën datë, kishte marr pjesë edhe në vrasjen e 34 viktimave të këtij fshati", tha Gjykata.
Po ashtu, Gjykata tha se i dyshuari ka shtetësi dhe vendbanim të përhershëm në Serbi, prandaj masa e paraburgimit arsyetohet nga frika se i njëjti mund të arratiset.
"Gjykata konstatoj se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri R.M. nëse gjendet në liri, mund të arratiset duke pasur parasysh faktin se ai ka shtetësinë e Serbisë, ka vendbanimin e përhershëm në Serbi, andaj ka gjasa reale se mund të arratiset dhe i njëjti mund të jetë i pa arritshëm për fazat tjera të procedurës penale, gjithashtu Gjykata konstaton se nëse i pandehuri lihet në liri paraqet rrezik real se i njëjti mund të identifikoj dëshmitarët dhe të ushtroj ndikim tek të njëjtit", thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës transmeton Klankosova.tv.
Vërejtje:
Personat e përmendur në këtë artikull, sipas ligjeve të Republikës së Kosovës, konsiderohen të pafajshëm deri në vendimin e formës së prerë nga gjykata.
●●●
ASHKRIMI NGA
albert
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.