Një këmbësor është goditur për vdekje nga një automjet në rrugën "Ismajl Kryeziu" në Prizren pasditen e së premtes.
Rastin për Klankosova.tv e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.
Sipas Bytyqit, i vdekur ka mbetur një 80-vjeçar.
“Menjëherë pas marrjes së informatës, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore përkatëse si dhe eprorët policorë”, tha ai.
Tutje, Bytyqi bëri të ditur se i dyshuari në këtë rast është një zyrtar policor nga Prizreni, i cili në momentin e aksidentit ka qenë jashtë detyrës zyrtare dhe ka qenë duke lëvizur me veturë private.
I dyshuari aktualisht ndodhet në Stacionin Policor të Prizrenit.
“Për veprimet e mëtejshme administrative dhe penale do të koordinohemi me Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK) dhe Prokurorin Kujdestar, për çka do të njoftoheni me kohë. Lidhur me rastin janë njoftuar Prokurori i Shtetit dhe Inspektorati Policor i Kosovës, të cilët janë duke u marrë me procedurat e nevojshme hetimore”, tha ai për Klankosova.tv.
●●●
AHSHKRIMI NGA
Albina Haxholli
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.