Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve, Ricardo Gutierrez, tha se Kosova duhet t’i respektojë standardet evropiane për lirinë e medias nëse dëshiron të integrohet në Bashkimin Evropian.
Sipas Gutierrez, vendime si ai për suspendimin e certifikatës biznesore të Klan Kosovës kanë ndikim në rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në BE dhe organizata tjera ndërkombëtare.
“Natyrisht, unë besoj se Kosova duke qenë kandidate për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe Bashkimin Evropian, duhet t’i ndjekë, duhet t’i respektojë standardet evropiane për lirinë e medias, pra po, do të ketë ndikim, ka ndikim, njerëzit në Komisionin Evropian, në Parlamentin Evropian, njerëzit në Strasburg, në Këshillin e Evropës, në Asamblenë Parlamentare, por edhe administrata e Këshillit të Evropës janë duke shikuar se çfarë po ndodhë në Kosovë, dhe natyrisht do t’i nxjerrin konkluzionet e tyre për këtë. Pra po, kjo që po ndodhë në Kosovë do të ketë ndikim në integrimin e Kosovës, është e qartë se nëse Kosova dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian duhet t’i respektoni standardet evropiane për lirinë e medias”, tha Gutierrez në Rubikon të Klan Kosovës.
Duke folur për këtë vendim të MINT-it, Gutierrez tha se është qartazi kundër politikave dhe standardeve evropiane për lirinë e medias, derisa shtoi se vendimi qeveritar për suspendim është në shpërputhje me problemet që janë përmendur nga MINT.
“Një ndërhyrje e tillë arbitrare në funksionimin e medias nuk lejohet me standardet e Evropës, natyrisht mund të merren vendime nga rregullatorë të pavarur lidhur me çështje teknike, sepse nëse keni licencë për të transmetuar, ke edhe kushte që duhet t’i respektosh, kjo është një gjë, por marrja e vendimit për të suspenduar licencën e biznesit është vendim shumë serioz. Pra, ka një disproporcion ndërmjet problemeve administrative të ngritura nga qeveria dhe vendimit për suspendim që është shumë serioz”, u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve, Ricardo Gutierrez. /Klankosova.tv
Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber
BONUS: Merreni aplikacionin tonë në
Android dhe
iOS
https://youtu.be/KefCjMIdlXM
●●●
ASHKRIMI NGA
A
Editorial nga Klan Kosova — ndjek video lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.