Vendimi i senatit ia preu rrugën për profesor Halit Malokut, i cili vlerëson se komisioni recensues e ka mbivlerësuar kundërkandidatin e tij.
Sipas tij, e gjitha është bërë që Lulzim Vokrri të renditet para tij.
Ai thotë se komisioni është dashur ta vlerësonte me zero pikë për monografi, pasi që pretendon se Vokrri nuk e ka asnjërën.
‘’Ai asnjë monografi nuk e ka të botume. Kopja fizike e asaj monografie duhet me qenë në Bibliotekë Kombëtare. Ky nuk e ka asnjë monografi, po prapë komisioni ia ka numëru një, thuj çka dush, është një temë e doktoratës e cila i ka pesë pikë, sipas rregullores, punimi i doktoratës në formë monografie, i publikuar si botim i veçantë, në Kosovë ose në vendet e tjera, ISBN dhe i kataloguar’’, ka thënë Maloku për KIKS Kosovën.
Maloku e akuzon komisionin se e ka vlerësuar një punim të Vokrrit që, sipas tij, është një hipotezë e publikuar në një revistë të dyshimtë.
Mirëpo, kjo ankesë u hodh poshtë nga Komisioni recensues, i cili kur bëri rivlerësimin e dy kandidatëve, theksoi se revista në të cilën Vokrri e publikoi punimin e tij nuk është në mesin e revistave të dyshimta.
‘’Lulzim Vokrri është autor i parë i punimit me titull: 'The vascular connector, design of a new device for sutureless vascular anastomosis', i botuar në revistën 'Annals of Surgical Innovation and Research' 2014, 8 (8), 8. Revista ka qenë aktive në vitet 2007- 2016, dhe pastaj është shuar. Revista nuk bën pjesë në revistat e dyshimta. Sipas Rregullores No 886, dt. 27.04.2022, vlerësimi i revistës bëhet në momentin e vlerësimit të kandidatëve, prandaj revista në fjalë është me SJR =0, prandaj vlerësohet prezenca në Scopus me 10 pikë’’, thuhet në atë vendim.
Malokut nuk iu mor parasysh as ankesa për librin “Mjekësia Urgjente”.
Maloku hedh dyshime edhe për librin “Ligjërata të Kirurgjisë Vaskulare dhe Kardiake” të Vokrrit, të cilin komisioni e vlerësoi me dy pikë.
Ankesa e vetme e Malokut e cila u mor parasysh nga komisioni është ajo për monografinë e Vokrrit, e cila e shtyu komisionin t’ia largojë këtij të fundit pesë pikë, çka bëri që Maloku të renditet i gjashti dhe të propozohet për profesor.
Maloku pretendon se prapa Vokrrit qëndron dikush që ka ndikuar në këtë vlerësim, që e cilëson të kundërligjshëm.
Prandaj, ai paralajmëron ankesë, e cila në qoftë se nuk i merret parasysh, thotë se do t’i ndjekë rrugët ligjore.
https://youtu.be/uGXaOqKMfZ0
●●●
KKSHKRIMI NGA
Kiks Kosova
Editorial nga Klan Kosova — ndjek video lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.