Në praninë e përfaqësuesve institucional, arkitektëve, kuratorëve, studiuesve dhe mediave ndërkombëtare u hap sot Pavijoni i Kosovës “Lulebora nuk çel më” në Venecia të Italisë, asamble në shpërfaqje nga Erzë Dinarama.
Përzgjedhur për ta përfaqësuar Kosovën në kuadër të edicionit të 19-të të Ekspozitës Ndërkombëtare të Arkitekturës – La Biennale di Venezia, instalacioni ofron një eksplorim ndijor të ndërprerjes dhe rikonfigurimit të marrëdhënieve të rrënjosura ekologjike dhe sistemeve të dijes së mishëruar, që gjenden nën trysninë e krizës klimatike, transmeton Klankosova.tv.
Hana Halilaj, kuratore dhe përfaqësuese e Galerisë Kombëtare të Kosovës, institucion komisionues i Pavijonit të Kosovës në Venezia, tha: “Falemnderit që keni ardhur në inaugurimin e Pavijonit të Republikës së Kosovës në edicionin e 19-të të ekspozitës ndërkombëtare të arkitektures i cili prezanton projektin Lulebora nuk çel më. Asamble në Shpërfaqje. I organizuar si një kalendar relacional, instalacioni shtjellohet përreth gjashtë momenteve ekologjike prezentuar nga një koreografi e aromave që zgjojnë ndjeshmërinë e shqisave në të cilat mbështeten fermerët për të përballuar pasiguritë klimatike. Nga këto momente e përmes së pranisë së dheut të Kosovës, ky pavijon shndërrohet në një arkiv shqisor të njohurive.”
Nita Shala, Ambasadore e Republikës së Kosovës në Itali, tha: “Është një nder dhe privilegj i veçantë të qëndroj sot para jush në emër të Republikës së Kosovës, në hapjen e pavijonit tonë kombëtar në La Biennale di Venezia – njëra ndër platformat më të respektuara në botë për dialog kulturor dhe intelektual.
Erzë Dinarama, tha se “‘Lulebora nuk çel më.’ Kjo fjali e thjeshtë, e shqiptuar nga një fermer gjatë punës në terren në Kosovë, flet për sfidën e të kuptuarit të peizazheve kur treguesit mjedisorë nuk vlejnë më, kur pranvera vjen shumë herët, dhe kur mungesa e borës në male nuk garanton më mungesën e ngricave të vonuara. Edhe pse shenjat tradicionale përmes të cilave fermerët lidhen me tokën po përçahen nga ndryshimet klimatike, ata vazhdojnë të organizojnë jetën e tyre sipas sinjaleve relacionale duke rikaluibruar mbjelljet dhe korrjet me vëzhgime si ‘vjeshta dhe pranvera janë zhvendosur’ apo ‘kalendarët e vjetër nuk vlejnë më’ dhe jo sipas kalendarëve të ngurtë”.
Kosova ka marrë pjesë në Ekspozitën Ndërkombëtare të Arkitekturës – La Biennale di Venezia me pavijonin e saj kombëtar që nga viti 2012. Prezantimet e kaluara përfshijnë punë nga Përparim Rama (2012), Gëzim Paçarizi (2014), Eliza Hoxha (2018), Maksut Vezgishi (2021), dhe Poliksen Qorri–Dragaj & Hamdi Qorri (2023).
●●●
AHSHKRIMI NGA
Albina Haxholli
Editorial nga Klan Kosova — ndjek kulturë dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.