Kryeministri, Ramush Haradinaj mori pjesë si panelist në konferencën me temë “Të bashkuar në luftimin e ekstremizmit të dhunshëm - Partneriteti për sukses", në të cilin u diskutua për shumë dimensione të luftës për parandalimin e kësaj dukurie të përmasave globale, në Tiranë.
Këtu Haradinaj theksoi interesimin e Kosovës që në nëntor të bëhet pjesë e INTERPOL-it.
Ai tha se Kosova është pjesë e kombeve euroatlantike, pjesë e koalicionit që e lufton ekstremizmin.
“Kosova është e ndërgjegjshme sa i përket rrezikut të ekstremizmit. Ne si vend i vogël kemi pasur shkuarje në luftëra të huaja, por po ashtu ne kemi parandaluar udhëtimin e disa personave që të shkojnë atje. Problemet dhe lajmet që vijnë nga lufta atje i kanë bërë qytetarët të kuptojnë rrezikun”.
Haradinaj vlerësoi se në Kosovë ka ende punë për t’u bërë dhe se çelësi për sukses është bashkëpunimi brenda shtetit e bashkëpunimi në mes të kombeve.
Pjesë e kësaj konference ishin edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kryeministri i Bullgarisë Boyko Borissov, si dhe princi i Jordanisë, Ghazi bin Muhammad.

●●●
ASHKRIMI NGA
A.B
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.