Në Hong Kong ka nisur gjyqi ndaj tre aktivistëve pro-demokracisë, të akuzuar për nxitje të përmbysjes së pushtetit shtetëror lidhur me organizimin e vigjiljeve përkujtimore për viktimat e masakrës së Sheshit Tiananmen.
Chow Hang-tung, Albert Ho dhe Lee Cheuk-yan, ish-drejtues të Aleancës së Hong Kongut në Mbështetje të Lëvizjeve Demokratike të Kinës, u paraqitën sot para Gjykatës së Lartë. Chow dhe Lee u deklaruan të pafajshëm, ndërsa Ho pranoi fajësinë. Rreth gjykatës u vendosën masa të shtuara sigurie, raporton “Al Jazeera”, transmeton Klankosova.tv.
Vigjiljet vjetore të 4 qershorit, që për dekada mblidhnin mijëra persona në Hong Kong për të përkujtuar ngjarjet e vitit 1989 në Pekin, janë ndaluar që nga viti 2020 pas vendosjes së ligjit për sigurinë kombëtare.
Organizatat për të drejtat e njeriut e kanë dënuar procesin, duke e cilësuar si përpjekje për të heshtur kundërshtimin politik. Autoritetet kineze, ndërkohë, thonë se ligji ka rikthyer stabilitetin pas protestave masive të vitit 2019.
Gjyqi pritet të zgjasë rreth 75 ditë dhe po zhvillohet para një paneli prej tre gjyqtarësh të miratuar nga qeveria. /Klankosova.tv
●●●
ASHKRIMI NGA
albert
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.