Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti ka thënë se situata epidemiologjike në vend është rënduar shumë dhe se Kosova ndanë të të njëjtin fat me rajonin dhe Evropën.
Hoti në konferencën për media ku do të prezantojë masat e reja, bëri të ditur se është trefishuar numri i testimeve gjatë javëve të fundit, njofton Klan Kosova.
“Situata është tepër e rëndë. Ne kemi përgatitur edhe të dhënat konkrete që të gjithë të kuptojnë situatën që realisht po kalojmë e cila është edhe në rajon dhe gjithë botë, pra jemi duke nda fatin e njëjtë me rajonin dhe Evropën”.
“Numri i testimeve është trefishuar gjatë javëve të fundit. Por rastet pozitive janë duke u rritur pra 1/3-ta e atyre që po testohen dhe nganjëherë 50% e atyre që testohen janë pozitivë, edhe numri i vdekjeve fatkeqësisht po rritet”.
“Duhet të kujdesemi që të ndalohet trendi rritës sa më parë që ne të menaxhojmë situatën dhe t'i mundësojmë stafit shëndetësorë që janë duke punuar pa pushim të përballojnë punën në spital”.
Hoti mes tjerash bëri të ditur se momentalisht 626 pacientë janë duke u trajtuar në klinikat e QKUK-së dhe spitalet rajonale.
“Janë bërë riorganizimet e ndryshme brenda spitalit duke rritur numrin e shtretërve dhe atyre me qasje në oksigjen. 626 pacientë të shtrirë në klinika në Prishtinë dhe spitalet rajonale”, deklaroi Hoti.
Hoti mes tjerash bëri të ditur se Instituti Kombëtarë i Shëndetësisë Publike në Kosovë ka kategorizuar komunat që kanë numër më të lartë të të infektuarve në tri grupe.
“Me ngjyrë të gjelbër janë komunat që kanë 75 të infektuar për një javë”.
“Me ngjyrë të portokalltë janë komunat që kanë 76 deri 150 të infektuar për një javë”.
“Me ngjyrë të kuqe ose me rrezikshmëri më të lartë janë komunat që kanë mbi 150 persona të infektuar për një javë”, deklaroi Hoti.

●●●
NSHKRIMI NGA
NP
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.