Një nënë nga Kosova pretendon se është mashtruar nga një zyrë e një spitali privat që operon në Prishtinë, e lidhur me një spital në Turqi, pasi sipas saj, pas marrjes së parave nuk është realizuar operimi i dytë për djalin e saj.
Hasime Berisha, në emisionin “Kosova Today”, ka treguar se djali i saj kishte nevojë për ndërhyrje kirurgjikale që nga lindja, për shkak të paralizës në dorën e djathtë. Ajo thotë se kontaktin e parë me spitalin e kishte bërë përmes rrjeteve sociale.
“Ai ka problem me dorën e djathtë, që në lindje e ka pasur të paralizuar. Rashë në kontakt përmes Instagramit dhe më doli një video e këtij spitali dhe e këtij mjeku. E kontaktova përmes përkthyeses. Më tha që mundesh me ia bë një video djalit dhe me ia dërgu mjekut. Unë ia dërgova dhe më tha ‘në rregull është, ka sukses, veçse duhet me e sjellë këtu’”, ka deklaruar ajo.
Sipas saj, për operimin e parë familja kishte mbledhur para me ndihmën e familjarëve dhe komunitetit.
“E qita edhe në rrjete sociale, u bënë paratë, sepse nuk i kam pasur të miat. Shkolla, fshati, farefisi… erdhëm, i paguam paratë dhe u nisëm drejt Turqisë. E bëmë operimin dhe u kthyem me sukses. Më tha doktori që brenda 6 muajve duhet me u kry edhe operimi i dytë, se nëse kalojnë 6 muaj nuk është mirë për djalin”, tha Berisha.
Ajo njëherësh tregoi se pas kalimit të kësaj periudhe, familja sërish u përball me vështirësi financiare, por arriti t’i sigurojë mjetet.
“Vjen koha e 6 muajve, këta më thirrnin non-stop, ‘A i bëre paratë?’ Më ndihmuan vëllezërit, fshati, farefisi… deshi Zoti u bënë”.
Megjithatë, sipas saj, situata ndryshoi kur arritën për herë të dytë në Turqi.
“Kur shkojmë atje, më thonë se operimin do ta bëjmë në një spital shumë më të mirë, më me emër. U zura sepse ai spitali nuk është në rregull. U thashë, ‘Unë nuk dua spital më të mirë’”.
Berisha pretendon se pas pranimit në spital, procesi është zvarritur dhe ndërhyrja nuk është kryer.
“Na zuri edhe nata e dytë, por nuk kishte operim. Kur kërkoja shpjegime pse nuk po operohet djali, më jepnin arsye të ndryshme”.
Berisha ka rrëfyer në detaje sesi ka ndodhur zvarritja nga ana e spitalit për mos operimin e djalit të saj, sikurse herën e parë.
Ndiqni rrëfimin e plotë, në videon e mëposhtme:
https://youtu.be/pwCkKZ5pa7U
●●●
LESHKRIMI NGA
Lendita Elshani
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.