Federata Ndërkombëtare e Atletikës IAAF pezullon përkohësisht 28 sportistë. Drejtues të organizmit më të lartë të këtij sporti deklaruan se 28 atletë që kanë konkurruar në garat e kampionatit botëror në vitet 2005 e 2007 janë skualifikuar për momentin pas rezultateve të kundërta që dolën në dritë, pas riekzaminimit të testeve të bëra dhe mospërputhjeve të evidentuara në krahasim me rezultatet e para.
Sipas burimeve brenda Federatës Ndërkombëtare të Atletikës pjesa më e madhe e tyre përbëhet nga atletë që tashmë janë tërhequr nga ky sport, me vetëm disa prej tyre ende aktivë. Në komunikatën zyrtare të IAAF konfirmohet se pezullimi i tyre për momentin është i përkohshëm. Lajmi u bë i ditur nga BBC që shpjegon se sipas burimeve të tyre të informimit në këtë listë nuk figurojnë atletë britanikë.
IAAF është kritikuar ashpër pas akuzave të ngritura nga gazeta Sunday Times dhe televizioni gjerman ARD, të cilët u vunë në zotërim të informacioneve tepër të rezervuara, në lidhje me përgjigjet e analizave, sidoqoftë drejtues të lartë të kësaj federate konfirmuan që asnjë prej këtyre sportistëve nuk do të lejohet të konkurrojë në Kampionatin e 15 Botëror të Atletikës që do të zhvillohet në Pekin nga data 22-30 të këtij muaji.
Një tjetër detaj i rëndësishëm është që nuk bëhet i ditur akoma asnjë emër nga këta 28 atletë për arsye se tashmë kjo cështje është në proces ligjor.
Kampionati i 10 Botëror i Atletikës u zhvillua në vitin 2005 në Helsinki ndërsa edicionin e 11 të këtij eventi e priti Osaka dy vjet më vonë. Në fillim të këtij muaji Gazeta Sunday Times publikoi një lajm ku thuhej që përgjigjet e 12.000 mijë analizave të gjakut të 5.000 atletëve, ndërmjet periudhës së viteve 2001-2012 konfirmojnë një përshkallëzim të jashtëzakonshëm të mashtrimit nga ana e sportistëve në aktivitetet më të rëndësishme të atletikës, megjithatë federata ndërkombëtare e këtij sporti u kundërpërgjigj duke i përshkruar akuzat për një shtrirje masive të dopingut në atletikë si sensacionale dhe konfuze. /supersport.al
●●●
ABSHKRIMI NGA
A. BA
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.