Autoritetet indoneziane kanë ngritur në nivelin më të lartë alarmit për shpërthime vullkanike, pasi mali Lewotobi Laki-Laki në ishullin Flores shpërtheu duke lëshuar një re të dendur hiri vullkanik deri në 10 kilometra lartësi në atmosferë.
Sipas Agjencisë Gjeologjike të Indonezisë, shpërthimi ndodhi në orën 01:35 të mëngjesit të së mërkurës, dhe zgjati rreth nëntë minuta. Më herët gjatë natës, ishte regjistruar edhe një shpërthim tjetër.
Nuk janë raportuar viktima apo dëme materiale të menjëhershme, por banorët dhe turistët janë paralajmëruar të qëndrojnë të paktën 6 deri në 7 kilometra larg vullkanit dhe të jenë të përgatitur për evakuim të mundshëm.
Kreu i Agjencisë Gjeologjike, Muhammad Wafid, u bëri thirrje banorëve të zonave përreth që të tregohen të kujdesshëm, veçanërisht në rast se ndodhin reshje të dendura shiu, të cilat mund të shkaktojnë rrëshqitje të baltës vullkanike.
Ai shtoi se kolona e hirit mund të ndikojë në fluturimet ajrore nëse përhapet më tej në atmosferë.
Për këtë arsye, autoritetet kanë pezulluar përkohësisht fluturimet nga Aeroporti Fransiskus Xaverius Seda në qytetin Maumere, rreth 60 km nga vendi i shpërthimit. Aeroporti do të qëndrojë i mbyllur të paktën deri të enjten.
Ky është shpërthimi i dytë i madh i këtij vullkani brenda vitit. Në korrik 2025, Lewotobi shpërtheu duke lëshuar një re hiri prej 18 kilometrash, gjë që detyroi autoritetet të anulojnë fluturimet në ishullin turistik të Balit.
Në nëntor të vitit 2024, shpërthimi i të njëjtit vullkan shkaktoi 10 viktima dhe dëmtimin e mijëra shtëpive në zonat përreth.
●●●
ASHKRIMI NGA
albert
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.