Komuna e Pejës më 2016 qendrës për kujdesin e të moshuarve “Orenda” ia dha në shfrytëzim pronën për 45 vjet.
Për të iu desh edhe leje speciale nga Ministria e Financave, që më herët merrej në Ministrinë e Punës e Mirëqenies Sociale. Për të aplikohet fillimisht për afat njëvjeçar e më pas për 3 vjet me mundësi vazhdimi.
Për këtë arsye është në mandatin e Ministrisë së Financave kontrollimi dhe monitorimi i këtij institucioni për kushtet dhe trajtimin e përgjithshëm.
Nga ky dikaster qeveritar nuk i kthyen përgjigje Klan Kosovës nëse e kanë kontrolluar ndonjëherë shtëpinë për të moshuar “Orenda”.
Mirëpo, televizioni merr vesh nga burimet brenda ministrisë se me 20 shtator të vitit kaluar ky institucion ka pranuar ankesën e një familjari me dyshimin se një banor i kësaj qendre është keqtrajtuar.
Nuk dihet se kjo ankesë ka marrë ndonjë epilog, por nga Inspektorati Shëndetësor që ka mision inspektimin e mantelbardhëve ka konfirmuar se nuk kanë pasur ndonjë ankesë ose informacion rreth ndonjë rasti të tillë.
Madje ata bëjnë me dije se nuk i kanë inspektuar kurrë profesionistët shëndetësorë në këtë qendër.
“Na lejoni që të ju informojmë se qendra për përkujdesje të të moshuarve "Orenda" me seli në Pejë është e licencuar - certifikuar nga MFPT, andaj si e tillë nuk është nën kompetencat e mbikëqyrjes së MSh-së, gjegjësisht Inspektoratit Shëndetësor. Qendra për përkujdesje e të moshuarve nuk ka qenë asnjëherë e inspektuar nga Inspektorati Shëndetësor pasi që nuk është nën kompetencat e MSh-së dhe ISh-së”, deklarojnë nga ky inspektorat.
Inspektorati thotë se gjatë inspektimit të rastit të mërkurën ka verifikuar se katër infermieret e përfshira në këtë incident janë të licencuara nga Oda e Infermierëve të Kosovës. Ata theksojnë se ka dyshime se mund të jetë bërë shkelje e etikës profesionale nga infermieret ndaj të moshuarës M.N. dhe për këtë arsye do të trajtohet nga Komisioni Etik.
https://www.youtube.com/watch?v=8Z9ddYUjhuo
●●●
LSHKRIMI NGA
LiZe
Editorial nga Klan Kosova — ndjek video lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.