Trarët e shtëpisë së njohur si “Shtëpia e Verdhë” janë ekspozuar në kuadër të një istalacioni artistik në Tiranë.
Armando Lulaj, njëri nga autorët e ekspozitës, dhe pjesëtar i kolektivit La Societe Spectrale, tha për Klankosova.tv se ky instalacion ishte nga pjesa dedikuar atyre që njihen si lajme të rrejshme, e që është vetëm një nga tre sektorët e projektit “Manifesto Hijacking”. Kjo, krahas asaj të dhunës reale që u soll nga mbetjet e Teatrit Kombëtar të rrënuar në Tiranë, dhe asaj të pagëzuar si “Empire”, ku u paraqitën objekte nga ambasada amerikane në kryeqytetin e Shqipërisë.

Lulaj tha se trarët e shtëpisë u morën nga familja Katuqi në vitin 2020, kur ishin duke e rindërtuar pullazin e saj.
Sipas tij, qëllimi i instalacionit është që përmes artit të rikujtohet se në shtëpinë në fjalë, ku Serbia pretendon se u kryen krime gjatë luftës çlirimtare në Kosovë, nuk janë gjetur prova bindëse.

“Nuk ka asnjë provë bindëse as nga Carla del Ponte, as nga Dick Marty. Nuk ka asnjë provë që të mbështesë rrëfimin e tyre”, tha Lulaj.
Instalacioni artistik, që është vendosur te Qendra për Art Bashkëkohor ZETA në Tiranë, do të ekspozohet deri në shtator.
●●●
BXSHKRIMI NGA
B X
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.