Policia japoneze ka nisur një fushatë për asgjësimin e arinjve, pasi të enjten hynë në fuqi rregullat e reja që u lejojnë oficerëve përdorimin e pushkëve për t’i vrarë këto kafshë. Vendimi vjen në një kohë kur vendi po përballet me një valë shqetësuese sulmesh pothuajse të përditshme nga arinjtë.
Autoritetet po përpiqen të frenojnë numrin në rritje të përballjeve me arinj, të cilët janë parë duke hyrë në shtëpi, shkolla e madje edhe në supermarkete. Sipas mediave japoneze, njësi të policisë speciale të trajnuara për përdorimin e armëve zjarri janë dërguar në prefekturat veriore për të bashkëpunuar me policinë lokale.
Ceremoni për nisjen e këtij misioni janë mbajtur në prefekturat Akita dhe Iwate, në verilindje të Japonisë – rajonet me numrin më të madh të sulmeve nga arinjtë.
Zyrtarë lokalë thanë për agjencinë AFP se ndryshimet në ligjet për armët ishin të domosdoshme, pasi pistoletat standarde që mbart policia nuk janë të mjaftueshme për t’u përballur me arinjtë për shkak të fuqisë së kufizuar.
Në çdo prefekturë do të dërgohen nga dy ekipe që do të përbëhen nga një komandant, një oficer ndërlidhës me autoritetet lokale dhe dy snajperë. Shefi i policisë së prefekturës Akita e përshkroi njësinë e re si vijën e parë të mbrojtjes kundër arinjve, duke u kërkuar oficerëve që prioritet ta kenë “mbrojtjen e jetës dhe mënyrës së jetesës së njerëzve”, raportoi NHK World Japan, transmeton Klankosova.tv.
Që nga prilli, të paktën 13 persona janë vrarë nga sulmet e arinjve – shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë në vend. Vetëm këtë muaj, një burrë në të 50-at u shtrua në spital pas një sulmi në prefekturën Fukushima, në episodin më të fundit të një serie incidentesh që kanë shkaktuar panik në mbarë Japoninë.
Sipas policisë lokale, burri u plagos në pjesën e pasme të kokës gjatë ecjes në qytetin Aizubange. Ai arriti të fshihej në një shtëpi aty pranë dhe u dërgua në spital me lëndime që nuk i rrezikojnë jetën.
Në një rast tjetër në tetor, një punëtor në një resort termal në Kitakami, prefektura Iwate, humbi jetën pasi u sulmua nga një ari teksa pastronte një banjë në natyrë.
Më herët gjatë nëntorit, u raportua se Japonia kishte angazhuar edhe Forcat e Mbrojtjes (SDF) në prefekturën veriore Akita për të ndihmuar në frenimin e sulmeve, pasi shfaqjet e arinjve në rajon janë rritur gjashtëfish, duke arritur mbi 8 mijë raste këtë vit.
Sipas ekspertëve, popullsia e arinjve aziatikë me qafë të zezë, një specie e klasifikuar globalisht si e rrezikuar nga zhdukja, është trefishuar që nga viti 2012. Në këtë rritje kanë ndikuar kufizimet në gjueti dhe dimrat më të butë që kanë zgjatur sezonin e kërkimit të ushqimit. /Klankosova.tv
●●●
ASHKRIMI NGA
A
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.