Komiteti i Punëve të Brendshme në Britani ka kritikuar ashpër mënyrën se si Ministria e Brendshme atje ka menaxhuar sistemin e akomodimit për azilkërkuesit, duke e cilësuar reagimin e saj si “kaotik” dhe pa strategji afatgjatë.
Në një raport të publikuar sot, deputetët kërkojnë që qeveria të vendosë rregull në sistemin aktual, i cili vlerësohet se ka dështuar në menaxhimin e kostove dhe në mbajtjen e besimit të publikut.
Qeveria britanike ka premtuar se do t’i japë fund përdorimit të hoteleve për strehimin e azilkërkuesve deri në vitin 2029, pasi kostot janë rritur ndjeshëm dhe komunitetet lokale kanë shprehur pakënaqësi, raporton Sky News, transmeton Klankosova.tv.

Sipas raportit, shpenzimet e kontratave të strehimit për periudhën 2019–2029 janë trefishuar, nga 4.5 miliardë në mbi 15.3 miliardë paund, për shkak të rritjes së kërkesës pas pandemisë dhe numrit në rritje të emigrantëve që mbërrijnë me varka të vogla.
Raporti thekson se Ministria e Brendshme ka dështuar të bashkëpunojë me autoritetet vendore dhe komunitetet ku janë vendosur hotelet e azilkërkuesve, duke krijuar “hapësirë për dezinformim dhe mosbesim publik”.
Në disa zona, si në Epping të Essexit, janë mbajtur protesta dhe tensione pas incidenteve të lidhura me emigrantë të akomoduar në hotele.
●●●
GSHKRIMI NGA
G.U
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.