Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, në fjalimin e tij në Konferencën Vjetore të Prokurorëve, ka kërkuar nga institucionet kompetente që të sigurojnë kushte më efikase pune për prokurorët dhe gjykatat, duke paralajmëruar se mungesa e stafit po ndikon në vonesa të drejtësisë.
“Mosaprovimi i kërkesave tona buxhetore për plotësimin e nevojave institucionale, veçmas për rritjen e numrit të prokurorëve, ka kufizuar punën e Prokurorit të Shtetit, por edhe të gjyqtarëve, e me këtë edhe një drejtësi efikase, edhe pse qytetarët, me të drejtë, presin që rastet e tyre të trajtohen me kohë dhe brenda afateve të parapara ligjore”.
“Andaj, edhe në këtë konferencë, e përsëris se është koha e fundit që institucionet kompetente të mendojnë shumë seriozisht për krijimin e kushteve për punë më efikase në prokurori dhe gjykata, sepse drejtësia e vonuar nuk është drejtësi; përkundrazi, një drejtësi e vonuar vetëm sa paraqet shkaqe dhe arsye për zhgënjim dhe rritje të kriminalitetit dhe dëmtim të rëndë të të drejtave të njeriut”, u shpreh Kelmendi.
Ai ka theksuar se pavarësia, paanshmëria dhe efikasiteti mbeten prioritetet kryesore të Prokurorit të Shtetit.
Sipas tij, një prokuror shpesh është i detyruar të përfaqësojë shumë aktakuza në një ditë, pa qenë i përfshirë në hetimet e tyre, çka ndikon në cilësinë e proceseve.
Ndër të tjera, Kelmendi ka bërë të ditur se gjatë vitit 2024, Prokuroria e Shtetit ka pranuar 50,681 kallëzime penale dhe ka zgjidhur 45,481 prej tyre – ose 90 për qind të rasteve të pranuara. Në nëntëmujorin e vitit 2025, përqindja e zgjidhjes ka arritur në 92.5 për qind.
Departamentet e Krimeve të Rënda kanë shënuar efikasitet edhe më të lartë, me 95 për qind të rasteve të përfunduara.
Në vitin 2024, Kelmendi tha se janë trajtuar kallëzime kundër 2,554 personave për korrupsion dhe krim ekonomik, prej të cilëve 75 për qind janë zgjidhur. Kelmendi ka theksuar se duhet më shumë proaktivitet në hetimin e korrupsionit të nivelit të lartë, pasi ky fenomen “dëmton besimin e qytetarëve dhe pengon integrimin evropian”.
Në fushën e krimit të organizuar, PSRK-ja ka ngritur 85 aktakuza në 97 raste të shënjestruara gjatë vitit 2024, ndërsa janë zgjidhur 39 raste me aktgjykime të plotfuqishme. Po ashtu, janë bërë hapa konkretë në trajtimin e krimeve të luftës, me 27 raste të zgjidhura ose 91 për qind të rasteve të pranuara.
Prokuroria ka trajtuar edhe 45 raste të terrorizmit me 92 persona, 39 raste të trafikimit të qenieve njerëzore dhe mbi 4 mijë raste të dhunës në familje gjatë vitit 2024.
Në fushën e konfiskimit të pasurisë, vlera e pasurisë së ngrirë dhe të sekuestruar arriti në mbi 48 milionë euro, ndërsa konfiskimet përfundimtare kapën mbi 2 milionë euro.
Kelmendi u ka bërë thirrje prokurorëve që të ruajnë pavarësinë dhe integritetin profesional dhe të kundërshtojnë çdo tentativë për ndërhyrje.
“Të veproni me paanshmëri dhe të mos harroni betimin që keni dhënë. Drejtësia duhet të jetë e barabartë për të gjithë”, tha ai.
Në përfundim, ai vlerësoi bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë dhe shoqërinë civile, duke theksuar se transparenca dhe komunikimi publik janë kyçe për forcimin e besimit të qytetarëve në institucionin e Prokurorit të Shtetit. /Klankosova.tv
●●●
ASHKRIMI NGA
A
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.