Makineri të rënda u aktivizuan të shtunën në Khan Younis në Rripin e Gazës, ku po kërkohen trupat e pengjeve.
Por, gjetja e tyre është goxha e vështirë për shkak të shkallës së lartë të shkatërrimit dhe pranisë së municioneve të pashpërthyera.
Kjo u bë në praninë edhe të ekipeve të Kryqit të Kuq që inspektuan zonën.
Hamasi ka bërë me dije se disa trupa ndodhen në zona të kontrolluara nga izraelitët.
Këta të fundit pohuan se mbetjet e një pengu tjetër, që grupi dorëzoi, janë identifikuar si të Eliyahu Margalit.
76-vjeçari ishte rrëmbyer më 7 tetor të vitit 2023, në një stallë kuajsh ku punonte.
Ai është trupi i dhjetë i një pengu të kthyer që kur armëpushimi hyri në fuqi para më shumë se një jave.
Hamasi është zotuar për përmbushjen e kushteve të marrëveshjes së armëpushimit, e cila, përveç dorëzimit të mbetjeve të pengjeve, përfshin edhe pika të tjera si hapja e kalimeve kufitare në Gaza dhe shpërndarja e ndihmave.
Këto të fundit, të ngarkuara në disa kamionë, u panë të premten në Gazën Qendrore, ndërsa Kombet e Bashkuara dhe agjenci të tjera pohuan se duhet të hapen më shumë pika kalimi për të lejuar ndihmë shtesë në Rrip.
Më shumë se 2 milionë banorë shpresojnë që ndërprerja e luftimeve do të sjellë lehtësim nga katastrofa humanitare.
Uria është shpallur në Qytetin e Gazës, ndërkohë që OKB-ja ka verifikuar më shumë se 400 njerëz që kanë vdekur nga shkaqe të lidhura me kequshqyerjen, përfshirë më shumë se 100 fëmijë.
I gjithë ky proces armëpushimi ka marrë mbështetjen e shumicës së bashkësisë ndërkombëtare, me të vetmin qëllim: përfundimin e luftës shkatërruese dyvjeçare në Gaza.
https://www.youtube.com/watch?v=JmrHokgMbu0
●●●
LGSHKRIMI NGA
L. Ga.
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.