Autorja dhe moderatorja e “Kiks Kosova”, Ardiana Thaçi-Mehmeti, këtë herë ka lënë anash rolin e saj investigues për të zbuluar një tjetër anë, veten dhe jetën e saj përtej kamerave.
Për emisionin “Weekend” me gazetaren Genta Gashi, ajo ka ndarë detaje nga rutina e përditshme, familja dhe sfidat e profesionit.
“Ardiana s’fle shumë gjumë. Zgjohem në orën 6 të mëngjesit dhe i bëj dy kafe turke, një për vete dhe një për bashkëshortin”, u shpreh ajo.
Megjithatë, përkundër angazhimeve të shumta, Thaçi-Mehmeti thotë se përpiqet maksimalisht që fundjavat t’ia kushtojë familjes.
“Të shtunën dhe të dielën mundohem me ua dediku krejt kohën familjes. E di që ndonjëherë i mbes në hatër bashkëshortit, sepse shpesh shkoj te familja ime, por gjejmë mënyra me e balancu. Kur kam mundësi, mundohem me kombinu edhe me dal bashkë apo me vizitu vende, sidomos në Shqipëri ku i kemi vizitat e shpeshta”, tha Thaçi-Mehmeti.
Duke folur për veten në raport me punën, autorja e "Kiks Kosova" thekson se ka disa “versione” të saj, varësisht nga ambienti.
“Njerëzit më njohin si të durueshme, por dallon, Ardiana në punë, Ardiana në shtëpi, Ardiana në publik dhe brenda ekipit të ‘’Kiks Kosova’’. Me ekipin jemi si familje e dytë. Shumë prej gazetarëve kanë nisur të rinj, tash disa i kanë bërë 5 vjet, disa 2-3 vjet, dhe tashmë jemi bërë si familje, ia dimë edhe ‘tekat’ njëri-tjetrit”, deklaroi ajo.
Ardiana Thaçi-Mehmeti pranon se ndonjëherë mund të reagojë edhe në momente të papërshtatshme, por kjo, sipas saj, vjen nga fakti që i grumbullon gjërat.
“Ndoshta ndonjëherë reagoj edhe pa të drejtë, por jam njeri që kërkoj falje”, tha autorja e emisionit investigativ, Kiks Kosova, Ardiana Thaçi-Mehmeti./Klankosova.
Ndiqni intervistën e plotë, në videon e mëposhtme:
https://youtu.be/WOAo2ipxbMo
●●●
LESHKRIMI NGA
Lendita Elshani
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.