Një mbrëmje e veçantë muzikore u zhvillua në Katedralen Shën Lucia në Durrës, ku artisti gjerman Felix Kleiser performoi me instrumentin e kornos, i shoqëruar në piano nga pianistja kosovare Lirika Pula Kasapolli.
Koncerti u organizua në kuadër të edicionit të 20-të të festivalit ndërkombëtar Chamber Fest Durrës ndërsa repertori përfshinte vepra nga Schumann, Glière, Haydn, Strauss dhe Beethoven.
Felix Kleiser, i njohur për virtuozitetin por edhe për historinë e tij frymëzuese, u prit me duartrokitje nga publiku.
Harmonia me pianisten Kasapolli u vlerësua për elegancën dhe profesionalizmin artistik.
"Kam qenë në Tiranë disa vjet më parë dhe së fundmi mora një ftesë për të ardhur në Durrës. Nuk e dija që koncerti do të luhej në kishë, ndonjëherë është e vështirë të luash në mjedise të tilla, por është ide shumë e mirë dhe këtu më pëlqeu shumë ambienti, akustika ishte e mrekullueshme gjithashtu. Pashë shumë njerëz entuziastë në këtë koncert dhe më vjen mirë që e shijuan atë", tha kornisti Felix Kleiser, shkruan Euronews, transmeton Klankosova.tv.
Chamber Fest Durrës vijon me aktivitete të tjera në ditët në vijim, duke sjellë përvoja të reja për dashamirësit e muzikës klasike.
●●●
BSHKRIMI NGA
BM
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.