Lajmet e fundit

Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për shpalljen organizatë terroriste në vend, Organizatën e Trupave të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC).
Kryeministri Albin Kurti, në mbledhjen e Qeverisë, tha se IRGC është një strukturë që, siç tha, përdor dhunën e organizuar dhe terrorizmin si instrument të politikës së jashtme.
“Ky propozim-vendim paraqet bazën ligjore dhe strategjike për shpalljen e Trupave të Gardës Revolucionare Islamike si organizatë terroriste në Republikën e Kosovës. IRGC është identifikuar si një strukturë që përdor terrorizmin dhe dhunën e organizuar si instrument të politikës së jashtme, duke kontribuar në destabilizimin rajonal dhe global. Përmes këtij vendimi, Kosova forcon qëndrimin e saj në mbrojtje të sigurisë ndërkombëtare, vlerave demokratike dhe të drejtave të njeriut. Është një pozicionim i qartë i Kosovës krah aleatëve të saj strategjikë në luftën e përbashkët kundër terrorizmit", tha Kurti./Klankosova.tv