Loriana Kuka të enjten do të debutojë në Lojërat Olimpike të cilat mbahen në Tokio të Japonisë.
Kryetari i Komiteti Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi në lidhje direkte në emisionin “Ora Shtatë’’ në Klan Kosova, ka thënë se ai beson se nëse Loriana e kalon raundin e parë ajo do të jetë e aftë të arri medalje.
“Jo nuk dorëzohemi lehtë, nesër presim Loriana Kuka ta përfaqësojë Kosovën në xhudo, ku kemi shpresa shumë të mëdha me qenë se ajo është me normë olimpike dhe është në top 10-shën botërore. Nëse e kalon luftën e parë mendojë që menjëherë do të jetë në pjesën e medaljeve”, ka thënë ai.
Duke treguar për kushtet të cilën e ka Kosova për sport, Krasniqi shtoi se sportet si noti që kanë kosto më të madhe mund të jenë më problem për atletët që synojnë të përfaqësojnë Kosovë në Lojërat Olimpike dhe tha se do të fokusohen në sporte individuale.
“Do të jemi të fokusuar në ato sport të cilët nuk kërkojë kosto të madhe duke e ditur që në Kosovë nuk kemi kushte të mira për sporte siç është noti dhe besojë që në të ardhmen qeveria do të ndikojë pozitivisht në infrastrukturën e të gjitha sporteve që i kemi në Kosovë. Ne do të fokusohemi në sporte individuale”, ka thënë Krasniqi.
Të dy medalje të arta të Kosovës erdhën nga një sport individual, ai i xhudos.
Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi u kurorëzuan me të artë në kategoritë e tyre, duke i mposhtur japonezët në sportin e tyre tradicional. Distria e mposhti japonezen në finale kurse Nora në gjysmëfinale.
Kryetari përmendi përgatitjen dhe pritshmërinë e japonezëve në xhudo duke shtuar se është e papërshkrueshme përgatitja e tyre.
“Japonia është përgatitur aq shumë në xhudo sa që është e papërshkrueshme ata kanë pretenduar që në çdo kategori të marrin medalje sepse kanë punuar për këto Lojëra edhe pse xhudo rrjedh nga shteti i tyre edhe e kanë sport tradicional”.
Megjithatë fati e njëjtë si në xhudo nuk e kishte boksi, boksierja Donjeta Sadiku nuk mundi të kalojë raundin e parë që sipas kryetarit Krasniqi ishte për shakë të një lëndimi që e ka ajo në dorë.
“Ne nuk kemi dashur më herët të prononcohem sepse e kemi ditur ne si Komitet Olimpik se Donjeta ka lëndime dhe e ka ashtin e thyer të dorës, në fakt Donjeta ka dal mund të themi si gjysmë Donjete – me një dorë sepse e ka pasur frikën te dora të cilën e ka pas të lënduar e ka mbajtur disa ditë në gips para se të vije këtu [Tokio] edhe kundërshtaren e ka pasur mjaft të fortë”.
Mirëpo, potenciali i Donjetës do të mund të shihet edhe në Lojërat Olimpike të Parisit në vitin 2024.
“Donjetën do ta kemi në Paris, patjetër, Donjeta është shumë e talentuar”.
Sipas kryetarit, Donjeta ishte e mërzitur pas humbjes, mirëpo me motivimin dhe besimin e KOK-ut, nga ajo po pritet medalja në ‘’Paris 2024’’
“Ne i kemi jap motiv që ajo të punojë edhe më shumë dhe ta kemi në Paris me ndonjë medalje. Kemi shpresa shumë të mëdha te Donjeta”.
Ekipi Olimpik i Kosovës do të kthehen nga Tokio më 10 gusht, ku kryetari Krasniqi tha që do të ketë konferenca në aeroport dhe festë në kryeqytet.
“Ne veç jemi kujdesur për këtë punë me presidencën, pritja do të jetë solemne, do të jetë një pritje shumë e mirë në dhe do të jetë një konferencë për shtyp në aeroport të Prishtinës. Kurse manifestimi kryesor do të jetë në qendër të Prishtinës me të gjithë atletët që kanë përfaqësuar Kosovën”.
Në Lojërat Olimpike “Tokyo 2020”, Kosova ka fituar dy medalje të arta, të dy këto në sportin e xhudos, nga Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova.
https://youtu.be/p9uwl9X4-_E
●●●
NSHKRIMI NGA
N.Z
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.