Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez , të premten në Beograd e nis turneun e tij në shtetet e Ballkanit Perëndimor.
Por , Sanchez nuk pritet të zbarkoj në Prishtinë. Autoritetet në Madrid të pyetura se pse Sanchez nuk viziton Kosovën, s’kanë kthyer përgjigje për Klan Kosova.
Ish-ambasadori kosovar në Suedi, Lulzim Peci, thotë se arsyeja kryesore e kësaj situate është se Kosova e Spanja, s’kanë marrëdhënie bilaterale.
Pos kësaj, Peci, që është udhëheqës i Institutit KIPRED, shton se Madridi mund të ndryshoj qëndrim shpejt nëse ndodh përmbyllja e shpejt e dialogut të lehtësuar nga Brukseli.
“Spanja, është duke pritur një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë e cila jo domosdoshmërish duhet të jetë me njohje eksplicite, për ta kryer aktin e njohjes ndaj Kosovës. Sepse pozicionimi i tanishëm që e ka Spanja ndaj Kosovës po i shkakton edhe vetë asaj probleme brenda Bashkimit Evropian”,tha Peci për Klan Kosova.
Spanja ka treguar shenja mbështetëse ndaj Kosovës e rajonit në synimet e tyre për integrimet në BE. Pedro Sanchez, u bë kryeministri i parë spanjoll që publikisht tha se shteti i tij aprovon liberalizimin e vizave për kosovarët.
“Spanja luan rol konstruktiv dhe jemi të hapur për aprovimin e heqjes së vizave për Kosovën”,u shpreh Sanchez në Bruksel më 24 qershor pas Samitit të liderëve të BE-së.
Spanja, Qipro, Rumania, Greqia e Sllovakia, janë pesë vendet anëtare të Bashkimit Evropian, që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. BE-ja ka 27 shtete anëtare.
https://www.youtube.com/watch?v=uUxfWNUSeNk
●●●
RSHKRIMI NGA
Ramushi
Editorial nga Klan Kosova — ndjek video lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.