Këtë fundjavë mbahet Gara më atraktive e disiplinës malore në automobilizmin kosovar, ajo e Kullës, e vlefshme edhe për FIA CEZ.
Interesimi i garuesve, por edhe i dashamirëve të auto sportit është i madh, ndërsa Federata e Auto Sportit e Kosovës, në bashkëpunim me AK Peja Visari, i kanë bërë të gjitha përgatitjet që gara të ketë rrjedhë sa më të mirë, shkruan kp.
Ndryshe nga garat tjera, kësaj here procedurat fillojnë qysh sot pasdite. Nga ora 16:00 – 19:00, në servisin “Eurogoma” në magjistralen Pejë – Prishtinë, në Qyshk, bëhet paraqitja administrative në garë, verifikimi i dokumentacionit dhe kontrolli teknik i veturave. Në orën 20:00 është caktuar takimi i parë i Komisionit Sportiv, ndërsa një orë më vonë (21:00) publikimi i listës fillestare startuese.
Të shtunën, në intervalin kohor 07:00 – 09:00, bëhet paraqitja shtesë në garë, verifikimi i dokumentacionit dhe kontrollimi teknik i jashtëzakonshëm i veturave. Në orën 10:00 bëhet publikimi i listës përfundimtare të garuesve, në 12:00 është vozitja e parë testuese, në 14:00 e dyta, ndërsa në orën 17:00 është caktuar takimi i dytë i Komisionit Sportiv.
Hapja zyrtare e garës është caktuar për të dielën në orën 11:45, derisa vozitja e parë fillon në 12:00. Dy orë më vonë (14:00) është paraparë të fillojë vozitja e dytë, ndërsa 15 minuta pas përfundimit të saj, publikimi i rezultateve jozyrtare.
Takimi i tretë i Komisionit Sportiv është në orën 16:00, ndërsa 30 minuta më vonë publikimi i rezultateve zyrtare.
Në orën 17:00 do të bëhet ndarja e çmimeve për fituesit, me çka edhe përmbyllet gara në Kullë.
Veç skuadrës organizative të FASK-ut, për çdo eventualitet do të asistojnë edhe Policia e Kosovës, Ndihma e Shpejtë dhe Brigada e Zjarrfikësve.
●●●
EVSHKRIMI NGA
E V
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.