Në shqip e serbisht ju drejtua publikut kryeministri Albin Kurti.
Në nisje të mbledhjes së qeverisë, ai i foli pakicës më të madhe në Kosovë, pra komunitetit serb për t’ua shpjeguar atyre sërish njërin prej vendimeve më ndikuese të qeverisë për ta.
Bëhet fjalë për heqjen e targave të veturave që i lëshon Serbia me emërtimet e vjetra të qyteteve të Kosovës e të cilat mund të konvertohen në ato RKS, nga 1 shtatori e deri më 31 tetor.
“Konvertimi i targave ilegale në ato RKS, i shërben rendit dhe ligjit , sigurisë publike dhe lëvizjes së lirë në gjithë republikën tonë”,shtoi ai.
Sikur për çështjen e targave ashtu dhe për atë me reciprocitet me dokumente që hyn në fuqi më 1 shtator, serbët shfaqën rezistencë.
Barrikadat e vendosura ditën e fundit të korrikut e që u larguan ditën e parë të gushtit, sipas krye-qeveritarit ato u vendosën jo nga populli por nga grupe të caktuara.
“Në përbërje me individë të armatosur e të kaluar kriminale, barrikadat u bënin rezistencë vendimeve tona vetëm që të mbronin krimin e organizuar në veri të vendit”
Kurti, thotë se dezinformimi po kërcënon sigurinë kombëtare dhe se urdhri për barrikadim vjen nga lartë e jo prej poshtë.
“Kam dëgjuar për lajmin e rremë se dokumentet serbe do të konfiskohen në këmbim të dokumentit për hyrje-dalje. Kjo nuk është e vërtetë. Dokumenti për hyrje dalje është dokument shtesë i cili jepet pa pagesë dhe me të cilin mund të merren shërbime të ndryshme në institucionet tona gjatë qëndrimit në Kosovë” përfundoi kryeministri.
https://www.youtube.com/watch?v=0VHy24Lpma8
●●●
NSHKRIMI NGA
NP
Editorial nga Klan Kosova — ndjek video lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.