Kryeministri Albin Kurti ka vizituar asetet e restauruara të trashëgimisë kulturore, për të parë nga afër zbatimin e programit për ndërhyrje restauruese, bashkë me ministrin e Kulturës, Hajrulla Çeku dhe ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi,
Pushtetarët vizituan kullën e Sheremetit në Pejë, e cila daton nga shekulli i 18-të, kullën e Tahirsylajve në Isniq të Deçanit, e ndërtuar rreth 170 vjet e vjetër, Hanin e Haraqisë në Gjakovë, e shekullit të 17-të, si dhe Muzeun etnografik në Gjakovë, e ndërtuar në shekullin e 19-të.
“Gjatë vizitave në monumentet e restauruara u theksua se për vitin 2022 është planifikuar buxhet prej 8.4 milionë euro, prej të cilave 1 milion euro janë për ndërhyrje emergjente. Po ashtu u theksua që restaurimet të përcillen me plane menaxhimi dhe funksionalizim të monumenteve”, thuhet në komunikatën e Qeverisë, transmeton Klankosova.tv.
Përveç ndërhyrjeve restauruese në asetet e vizituara, janë realizuar dhe janë duke u realizuar ndërhyrje restauruese në dhjetëra monumente të tjera, si në Muzeun Etnologjik Emingjiku në Prishtinë, Kullën e Sylejman Vokshit në Gjakovë, Kinemanë e Parë në Prizren, Hamamin e Gazi Mehmet Pashës në Prizren, Hamamin në Mitrovicë dhe në disa monumente brenda Qendrës Historike të Prizrenit.

●●●
RSHKRIMI NGA
Ramushi
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.