Objekti i Tabhanës, siç njihet për qytetarët e Gjakovës apo muzeu i muzikës së këtij qyteti, u kall mes flakësh në gusht të 2023-ës.
U cilësua lajm i keq, u vlerësua si zjarrvënie, por gishti nuk u drejtua kah vënësi i zjarrit. Tash e disa muaj, krejt çka dihet janë se punimet për restaurimin e muzeut kanë filluar, përderisa Prokuroria thotë se hetimet janë duke vazhduar.
Dyert e këtij institucioni kulturor mbeten të mbyllura në dry që të mos hyjë askush derisa punimet të marrin formën përfundimtare.
Etnomuzikologu dhe folkloristi Behar Arllati, atë që e krijoi për vite të tëra, tashmë mund ta shohë veç për së largu dhe të shkatërruar.
Ai bashkë me ish-drejtorin e Kulturës në komunën e Gjakovës, që njëherësh ishte edhe ish-nxënësi i tij, Meriton Ferizi, nga viti 2012 e deri në 2014, këtë objekt e kishin shndërruar në muze të muzikës, duke e bërë të vetmin e këtij lloji në rajon.
Së bashku kishin shkuar shtëpi më shtëpi, për të mbledhur eksponate të llojllojshme, duke i grumbulluar mbi 100 të tilla, për t’i ruajtur në një vend të sigurt.
Kur muzeun e mori flaka, profesori për Kiksin rrëfen tmerrin që e përjetoi.
Ai ia lë fajin qeverisjes lokale e qendrore dhe mosinteresimit të tyre për ta mbrojtur atë vlerë kulturore të vendit.
Megjithatë, Arllati ka bërë të ditur se Ministria e Kulturës u ka premtuar se muzeun do ta ribëjnë.
Më gjerësisht, ndiqeni kronikën më poshtë:
https://youtu.be/FYQ_gZUX9fc
●●●
BTSHKRIMI NGA
Bleona Thaqi
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.