Futbollisti i parë kosovar që u infektua me koronavirus, Valdrin Mustafa, është shëruar plotësisht nga ky virus.
Përfaqësuesi i ri kosovar, pas disa ditësh qëndrim nën izolim bashkë me familjen e tij, duke i respektuar udhëzimet e mjekëve në Gjermani, ka arritur ka kalojë me sukses virusin e rrezikshëm, që po rrezikon jetën e njerëzve kudo në botë, raporton Gazeta Express.
Sot, kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka kontaktuar me Mustafën dhe lojtari i Hannover 96 i ka treguar Ademit se sot e ka kryer testin dhe rezultati i ka dalur negativ, pikërisht dhjetë ditë pasi kishte dalë pozitiv në këtë test.

Futbollisti 22-vjeçar, i cili e ka përfaqësuar edhe ekipin e grumpshave të reja të Shqipërisë e edhe të Kosovës, luan për ekipin e dytë të Hannover 96, në ligën e nivelit të katërt në Gjermani.
Mustafa luan në disa pozita në fazën e sulmit, si qendërsulmues, sulmues anësor dhe sulmues i dytë, ndërsa në treg vlen 100 mijë euro.
Në janar të vitit të kaluar, ai iu bashkua ekipit të dytë të Hannover 96, pas transferimit në vlerë 100 mijë eurosh nga ekipi i dytë i Klautern. Të gjithë karrierën e tij me klube e ka kaluar në Gjermani me dy klubet e lartpërmendura, ndërsa si i ri kishte luajtur edhe për Saarbrucken.
Mustafa i kishte zhvilluar gjithsej shtatë ndeshje për ekipin kombëtar U-19 dhe atë U-21 të Shqipërisë, përderisa i ka zhvilluar edhe tri ndeshje për ekipin U-21 të Kosovës.
Ai luajti me Kosovës gjatë ndeshjeve të shtatorit, tetorit dhe nëntor të vitit të kaluar, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian U-21, duke u paraqitur në ndeshjet kundër Anglisë, Austrisë dhe Shqipërisë. /Gazeta Express/








