(Poezi e Blerim Shalës e rikthyer në dhjetëvjetorin e vdekjes së poetit Ali Podrimja)
Mbërrita
Ishte një shteg për një njeri
Një pyll dhe një përrockë dhe një zog
Mu duk një herë që ky ishte fundi i Botës së lume
E ishte një pamje e pikturës së quajtur
Vdekja e poetit
E poeti isha unë
Këtë e kuptova atë ditë
Këtë e morët vesh edhe ju më vonë
Tash do të pushoj
Boll u këndova të tjerëve
Lirisë më së shumti
Vuajtjes kur nuk e ke
Të bekuarën Liri
Isha lodhë shumë tepër shumë udhëve ku me çuan vargjet e mia
U ngjita në maje afër reve
Dhe rashë në fund të pusit me to
Vallëzova me to së bashku me të tjerët e sojit tim
Klitha dhe heshta dhe qajta me to
Një kohë i gjithë Atdheu fshihej aty
Nuk i kishin lënë vend askund tjetër
Të gjorit të dashurit të harruarit
Atdhe
Një amshim dhe një kohë
E gjithë shpresa strehohej aty
E dija këtë
E dija
Por nuk i tregoja kujt jo
Çfarë lirie çfarë atdheu çfarë gëzimi mund te gjindet
Ne poezi
Hajt më thuani
Dhe cili atdhe cili gezim dhe cila liri nuk gjindet
Ne poezi
Hajt më thuani
Folni ju që tash e tutje do të më kërkoni kot ndër të gjallët
Une megjithatë jam njeri me fat
Më duhet ta pranoj
Para jush
Mbërrita ne Parajsën e bërë
Prej një shtegu një pylli një zogu dhe një përrocke
Pa vdekur fare
Thash nuk ia vlenë më të kthehem prapa pas gjithë kësaj
Bukurie
Që paska pritë vetëm për mua qe një çast dhe një mijë vjet të tjera
Gjithçka mu bë rrafsh aty
Ranë retë mbi mua ne vend te qefinit
A u ngjita unë në re
Këtë për besë nuk e di
Rrezet e diellit mi mbyllën sytë
Dhe shkova
Më falni nëse ua prisha një pasdite a një mbramje
Atje ne Atdhe
Më falni
E di çfarë është malli i nje te gjalli për të vdekurit
E di mirë
Tash mësova çfare qenka mërzia e nje te vdekuri per ju të gjallët
Atje ne atdhe
Lamtumirë
(shkruar më 25 korrik, 2012)
●●●
LHSHKRIMI NGA
L H
Editorial nga Klan Kosova — ndjek kulturë dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.