Avital Leibovich, kryetare e Komitetit Amerikano-Hebraik, ka pohuar se ushtria e Izraelit i ka ndaluar sulmet e saja në Gaza.
Në emisionin “Info Magazine” në Klan Kosova, ajo ka theksuar se IDF e mori këtë vendim në një takim që patën mbrëmë.
“Ishte një takim ku shefi i stafit lajmëroi ndaljen e operacioneve, që do të thotë se nuk po bëjnë operacione ofanzive në këtë pikë të kohës. Të gjithë ushtarët janë ende aty, por ata po e përdorin fuqinë e tyre vetëm në kuptimin e mbrojtjes.”
“Kjo në kuptimin se Hamasi është në gjendje që të lëvizë përreth dhe të mbledhë pengjet. Po shpresojmë se kjo do të ndodhë. Nëse do të ndodhë kjo, me të vërtetë do të jetë një lëvizje shumë optimiste dhe pozitive”, ka pohuar Leibovich.
Leibovich ka shtuar se në planin 20-pikësh të presidentit amerikan Donald Trump është një mekanizëm ndërkombëtar që ai do ta udhëheqë për të ecur para me Gazën.
“Ka një mekanizëm ndërkombëtar që presidenti Trump thotë se do ta udhëheqë, por në përgjigjen e tyre Hamasi nuk përmend diçka të tillë. Me fjalë të tjera, ata akoma nuk e pranojnë këtë pikë. Ky mekanizëm amerikan ndërkombëtar përfshin po ashtu partnerët palestinezë, por Hamasi nuk mund të jetë njëri prej tyre. Nëse ata do të pajtohen me këtë, unë nuk jam e sigurt se do ta bëjnë një gjë të tillë.”
“Kjo që po flasim duhet të jetë një kombinim i sigurisë, sundimit të ligjit dhe mekanizmave civilë. Pjesa civile dukshëm do të merret me shëndetësinë, edukimin, rindërtimin e Gazës, të gjitha këto çështje civile si uji i pijshëm, energjia elektrike. Kurse siguria duhet të jetë me ushtarë të sigurisë të cilët do të punojnë krah për krah me forcat izraelite që do të jenë jashtë Gazës në një zonë lloj tamponi. Dhe do të thosha se kjo do të jetë një kombinim i vendeve perëndimore dhe atyre arabe, që do ta udhëheqin këtë lloj të bordit të vendeve që ta çojnë Gazën në fazën tjetër”, u shpreh Leibovich.
E njëjta tha se ka shumë plane ekonomike që mund të kenë sukses në Gaza.
“Për shembull, një zonë e tregtisë së lirë, por për të ndodhur kjo ne duhet ta shohim jashtë kësaj Hamasin, si dhe Xhihad Islamik Palestinez, po ashtu, por në të vërtetë për momentin kjo është shumë herët”, tha Leibovich.
Leibovich në fund u shpreh se gjatë historisë ka shumë pak presidentë amerikanë, demokratë e republikanë, të cilët nuk kanë arritur që të afrojnë palestinezët dhe izraelitët. /KlanKosova.tv
https://www.youtube.com/watch?v=EsQftlAQMYI
●●●
LGSHKRIMI NGA
L. Ga.
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.