21:23 - Sopa: Nataliteti në Kosovë është në rënie, duhet të merren masa
Specialisti i gjinekologjisë, obstetrikës dhe infertilitetit në Danimarkë, Negjyp Sopa ka folur për fertilizimin e asistuar mjekësor dhe shkaqet e infertilitetit, duke përmendur moshën dhe duhanpirjen si faktorët kryesor.
“Infertiliteti është një sëmundje e re, e definuar si sëmundje nga OBSH, fëmijët e parë kanë lindur në vitin 1978 dhe sot në tërë botën llogariten mbi 8 milionë njerëz që kanë lindur me ndihmën e IVF-it, po të krahasohet popullsia e Danimarkës dhe Shqipërisë sa këto dy shtete janë shtuar njerëz në këtë periudhë nga viti 1978. Shkaqet e infertilitetit janë edhe tek meshkujt edhe tek femrat, mirëpo tek femrat faktori kryesor është mosha, mosha është vendimtare se a do të ketë sukses, apo jo. Në Kosovë janë edhe disa elemente që me kohë nuk mund të zgjidhen, pirja e duhanit është ndikues i madh në infertilitet dhe pastaj pasojat vijnë dhe shprehen”, tha Sopa në Rubikon të Klan Kosovës.
Ndërkaq duke folur për rënien e natalitetit, Sopa tha se ky fenomen është i theksuar në Kosovë, prandaj duhet të reagohet me kohë.
“Në raport me shtetet e rajonit është ende shumë e pranueshme, por trendi është i shprehur dhe vërtetë është për t’u alarmuar dhe reaguar në kohë. Ne natyrisht se mund të ndihmojmë me infertilitet dhe ka domethënie shumë të madhe. Nëse e bëjmë krahasimin me Danimarkën, çdo i dhjeti fëmijë lind pas trajtimit me infertilitet dhe do të ishte për Kosovën që të reagojmë me kohë që të mos vijmë në një pozicion ku çdo i dhjeti fëmijë të lind me infertilitet, sepse jemi popull me numër shumë të vogël dhe për kah efikasiteti i shërimit dhe efektivitetit të fertilitetit nuk kemi mundësi ta bëjmë sikur në Danimarkë”, tha Sopa. /Klankosova.tv
https://youtu.be/0hHy6tEvAVo
21:19 - Aliu: Krahasuar me shtetet tjera, Kosova ka rënie drastike të natalitetit (VIDEO)
Specialisti i gjinekologjisë dhe obstetrikës, Dërgut Aliu, tha se Kosova është duke përjetuar rënie enorme të natalitetit.
“Në disa raste më duket se e kemi ndihmesën tonë në zvogëlimin e natalitetit, shumë shtete në mënyrë më të shprehur bëjnë ndihmë për rritjen e natalitetit, ne në 20 vitet e fundit kemi rënie drastike, enorme. Në krahasim më shtetet tjera kemi shumë rënie, në 20 vitet e fundit kemi rënie të jashtëzakonshme që është vërtetë brengosëse”, tha Aliu.
Aliu tha se shteti duhet që përmes politikave të subvencionimit të adresoj çështjen e rënies së numrit të lindjeve, derisa përmendi rritjen e infertilitetit si faktor që ndikon në rënien e natalitetit.
“Sikur të kishte ndonjë benefit ajo familje që e ka fëmijën e dytë, apo të tretë ndoshta do të ndikonte, ky është fenomen botëror, por tek ne është brengosëse rënia e natalitetit. Edhe infertiliteti është në rritje, për shkak të moshës, supozohet se edhe lufta ka lënë pasoja sepse tek ne ka rritje të strilitetit mashkullor, më shumë se sterilitetit femëror”, tha Aliu.
Duke folur për politikat e shtetit, Aliu tha se projektligji për shëndetin riprodhues dhe fertilizimin e asistuar mjekësor, i cili u aprovua në Qeverinë e Kosovës gjatë muajit të kaluar ka mangësi.
“Shumica e atyre që kërkojnë trajtim jashtë vendit janë qiftet që shkojnë me donacione të qelizave, të cilët për shkak të sëmundjeve organizmi i tyre nuk mund të prodhoj qeliza riprodhuese. Me ligj tek ne është i lejuar dhurimi i qelizave, por problemi kryesor është se nuk është i definuar siç duhet kompenzimi i dhuruesit të qelizave”
Aliu tha se më këtë projektligj të ri nuk lejohet importimi i qelizave riprodhuese nga vendet tjera dhe si pasojë qytetarët që kanë probleme me fertilitet detyrohen të kërkojnë trajtim jashtë vendit.
https://youtu.be/qnnvXaZ_GFI
21:16 - Hoxha: Për herë të parë kemi qeveri me masa proaktive në adresimin e fenomenit të zvogëlimit të natalitetit (VIDEO)
Në Kosovë ka trend të vazhdueshëm të rënies së natalitetit, këtë e thonë të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës.
Duke folur për këtë temë, specialisti i shëndetit publik, Ilir Hoxha, tha se Qeveria Kurti është duke ndërmarrë hapa konkret në adresimin e kësaj çështje.
“Qeveria aktuale është duke iu qasë kësaj në mënyrë proaktive, ligj për të cilin u fol në diskutimet fillestare është një nga shenjat se janë duke u adresuar çështjet, tjetra janë shtesat për fëmijë që janë aplikuar gjatë vitit të kaluar, pra e kemi për herë të parë një qeveri me masa proaktive në adresimin e fenomenit të zvogëlimit të natalitetit”, tha Hoxha në Rubikon të Klan Kosovës.
Por sipas Hoxhës ndikimi i institucioneve në zvogëlimin e fenomenit të natalitetit është i limituar.
“Duke i pasur parasysh trendet është e vështirë të menaxhohet, migrimi është një nga fenomenet, por edhe qasja në shëndetin reproduktiv është fenomen tjetër që shkon paralel dhe që ndoshta nuk jep rezultate që ne duam si shoqëri, në kuptimin që zvogëlohet numri i popullatës, numri i njerëzve që mund të jenë aktiv në tregun e punës, por shenjat janë pozitive, ka politika të menduara drejt adresimit të problematikave siç është nataliteti, shtesat për fëmijë, ligji që është në diskutim, për mua janë hapa konkret për dallim prej përpara që ka qenë një qasje improvizuese në politikat shëndetësore”, tha Hoxha.
https://youtu.be/V1KmXBxBGvU
21:15 - Nushi Jahjaga: Kosova ka mangësi në ligjet për shëndetin riprodhues
Fertiliteti në Kosovë është në rënie e sipër, kështu tha në emisionin Rubikon specialistja e gjinekologjisë dhe obstetrikës, Trina Nushi Jahjaga. Sipas saj në rënien e fertilitetit ndikojnë disa faktorë, duke përfshirë edhe mënyrën e planifikimin familjar.
“Nuk është më koha kur familja krijohet nga mosha 25 deri 30, por çdo vit e më shumë spostohet pas moshës 30, viteve të fundit edhe pas moshës 35. Duke pasur parasysh se me spostimin e viteve bie edhe fertiliteti te femrat, me ç’rast kërkohet ndihma në fushën e riprodhimit, apo asistimit mjekësor për riprodhim”, tha Nushi Jahjaga.
Tutje specialistja e gjinekologjisë dhe obstetrikës, tha se ligjet në Kosovë që kanë të bëjë me shëndetin riprodhues dhe atë të fertilizimit të asistuar mjekësor kanë shumë mangësi. Sipas saj si pasojë e këtyre mangësive shumë qifte që kanë probleme me fertilitet kërkojnë trajtim jashtë vendit.
“Deri tani kemi punuar me një udhëzim administrativ, i cili bie në kundërshtim me ligjet në fuqi. Këtë vit është bërë një draft projektligj dhe është dorëzuar në Parlament, ankesat apo pakënaqësitë tona janë se na mungon një përparim në kuadër të neneve, apo ligjeve që përputhen me shëndetin riprodhues. Qiftet nuk janë të informuar saktë se çfarë po ndodhë në Kosovë, derisa ekzistojnë spitalet në Kosovë dhe mund të gjejnë trajtim, ata kërkojnë jashtë vendit, qëllimi ynë është që qiftet të mos kërkojnë ndihmë jashtë vendit, por të qëndrojnë në Kosovë meqenëse kemi ekspertë dhe spitale që ofrojnë të gjitha shërbimet që i kërkojnë jashtë Kosovës”, tha Nushi Jahjaga në Rubikon të Klan Kosovës.
https://youtu.be/xbaP_UCPoqY
20:46 - RUBIKON: Rënia e natalitetit dhe ndikimet ligjore në politikat shëndetësore (VIDEO)
Në emisionin e sotëm Rubikon në Klan Kosova do të diskutohet mbi rënien e natalitetit dhe ndikimet ligjore në politikat shëndetësore.
Të ftuar janë: Dr. Trina Nushi Jahjaga, Dr. Dergut Aliu, Dr. Negjyp Sopa dhe Ilir Hoxha, specialist i shëndetit publik.
Rubikon në Klan Kosova, me fillim nga ora 20:45.
https://youtu.be/gJksXhRdJOc●●●
ASHKRIMI NGA
A
Editorial nga Klan Kosova — ndjek video lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.