Është mbajtur mbledhja e Shtabit Emergjent në Komunën e Drenasit, ku anëtarët e Shtabit Emergjent kanë diskutuar për gjendjen aktuale të emergjencës shëndetësore.
Kryetari i Komunës, Ramiz Lladrovci, ka falënderuar anëtarët e Shtabit Emergjent, administratorët, policinë, stafin shëndetësor dhe gjithë qytetarët e komunës të cilët po i zbatojnë në përpikëri të gjitha masat e marra të komunës dhe ato të nivelit qendror.
Lladrovci vlerësoi se bashkëpunimi i mirë mes të gjithë akterëve, është rezultat që deri më tani në Drenas fatmirësisht nuk është konfirmuar zyrtarisht asnjë rast me COVID-19.
Ndërsa sa i përket, vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë për kufizimet e reja të lëvizjes, ka theksuar se ato masa nuk janë hartuar në konsultim me komunat e Republikës së Kosovës.
Kreu i Drenasit ka treguar para anëtarëve të Shtabit Emergjent se përmes Asociacionit të Komunave të Kosovës, kanë reaguar lidhur me këtë vendim.
Në këtë mbledhje, anëtarët e Shtabit Emergjent kanë raportuar për gjendjen aktuale dhe marrjen e masave parandaluese të virusit COVID-19, po ashtu janë diskutuar edhe vendimet e fundit të nivelit qendror dhe është diskutuar pakoja emergjente për 2 mijë familje që do të ndahen javën e ardhshme pas përfundimit të procedurave të prokurimit për negocim, njofton Komuna e Drenasit përcjell Klan Kosova.
Unanimisht është vendosur që edhe këto 2 mijë pako të jenë të ngjashme me pakot që janë ndara më herët, pra me 18 artikuj, duke përfshirë edhe një thes me miell të 25 kilogramë.
●●●
ASHKRIMI NGA
albert
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.