Klubi i Galatasaray afron përkohësisht tre xhudistet elitare të Kosovës, Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi.
Bashkë me trajnerin Driton Kuka, sportistet do të përfaqësojnë klubin turk në eventin Golden League që starton në datën 19 Dhjetor në Vjenë.
Në prononcimin dhënë për mediat kosovare, trajneri pejan u shpreh se pas stërvitjes intensive në Japoni, xhudistet kanë vendosur të përfaqësojnë klubin turk në eventin kontinental më prestigjoz të klubeve të xhudos.
Kjo nuk është hera e parë që xhudistet kosovare përfaqësojnë klubin nga Stambolli pasi një vit më parë ato fituan medaljen e artë në Golden League.
Gjatë këtij viti, sporti i xhudos në Kosovë ka regjistruar disa suksese, por edhe probleme që lidhen kryesisht me gjendjen fizike të Majlinda Kelmendit, e cila mungoi në pjesën më të madhe të evenimenteve për shkak të një dëmtimi.
Ish kampionia e botës u rikthye në muajin tetor në Lisbonë ku fitoi medaljen e artë në Unionin e Xhudos, ndërsa synon të triumfojë në Olimpiadën Rio 2016 ku për herë të parë Kosova do të përfaqësohet me flamurin zyrtar.
●●●
KSHKRIMI NGA
KLANKOSOVA
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.