Lajmet e fundit

Dy gara nga fundi i sezonit të Moto GP gjithçka është në lojë. Jorge Lorenzo e shkurton në -11 diferencën me Valentino Rossin në garën e Philip Island ku triumfoi Marc Marquez. Një sukses i rëndësishëm për spanjollin e Hondas që nuk kishte arritur të triumfonte asnjëherë në pistën australiane. Marquez la pas bashkëokmbasin Lorenzo, duke ndihmuar në njëfarë mënyre italianin Rossi, i cili e nisi garën nga vendi i 7 por arriti të renditej mes 4 të parëve. Shkalla më e ulët e podiumit shkoi për Andrea Iannonen që konfirmon rritjen e motorit Ducati në pjesën e dytë të këtij sezoni që po rezulton spektakolar. Në Philip Island u zhvillua ndoshta gara më e bukur e këtij sezoni me shumë emocione, parakalime dhe ndryshime pozicionesh të vazhdueshme. Ishte Lorenzo që tentoi arratisjen në krye që në start por gjatë xhirove të fundit gomat e tradhëtuan, duke i lëshuar terren Hondas së Marquez, i cili arriti të rrëmbente vendin e parë pak km nga fundi. 4 të parët u bashkuan në 10 xhirot e fundit duke kombinuar mes njëri tjetrit me disa parakalime të shpejta, shkruan Top Channel. Fillimisht Lorenzo ndaj Marquez dhe më pas Iannone kaloi Rossin e Marquez. Gjithçka mbeti e hapur deri në fund ku kampioni i botës në fuqi i bëri një dhuratë “Doktorit”, duke e zbritur Lorenzon në vendin e dytë. Në këtë mënyrë, dy gara nga fundi, diferenca mes Rossit dhe Lorenzos reduktohet në 11 pikë por edhe dy fitore mund të mos i mjaftojnë pilotit nga Mallorca nëse numri 46 do të arrijë ta presë vijën e finishit me dy vende të dyta. Titulli i 10 kampion për pilotin italian afrohet edhe më shumë por llogaritë do të bëhen pikërisht në garën e fundit pasi gjithçka mund të ndodhë në këtë sezon të çmendur të Moto GP ku titulli do të shkojë te skuadra Yamaha.