Për më shumë se gjysmë shekulli, tri gjenerata të familjes Mehmeti jetuan në këtë shtëpi, në zemër të një prej lagjeve më të vjetra të Prishtinës - Tophane.
Gjithçka nisi kur Tefik Mehmeti bleu këtë tokë dhe ndërtoi shtëpinë në rrugën që dikur njihej si “Dalmatinska”, sot mes rrugëve “Lidhja e Prizrenit” dhe “Kadri Gjata”, vetëm pak hapa larg qendrës së kryeqytetit.
Këtu u rritën breza të tërë. Pas Tefikut, shtëpia u bë strehë për djalin e tij, Selatin Mehmetin, dhe pesë fëmijët e tij. Një jetë e ndërtuar me vite, që u ndërpre në vitin 1999.
Si shumë familje në Kosovë, edhe Mehmetët u detyruan të largohen nga shtëpia e tyre – fillimisht drejt Maqedonisë së Veriut, e më pas drejt Gjermanisë, në kërkim të mbijetesës.
Kur lufta përfundoi, shtëpia e tyre nuk ishte më e zbrazët. Aty ishte strehuar një familje tjetër, pa kulm mbi kokë. Pronarët e vërtetë i lejuan të qëndronin përkohësisht, derisa të gjenin zgjidhje.
Por, ajo që nisi si një akt human, sipas tyre, përfundoi në një padrejtësi të madhe.
Të strehuarit, që rastësisht mbanin të njëjtin mbiemër, Mehmeti, arritën ta shesin pronën, sikur të ishte e tyre.
Familja legjitime, pjesë e komunitetit rom, thotë se institucionet nuk reaguan me kohë, pavarësisht ankesave të vazhdueshme. Gjykata nuk vendosi masa të përkohshme dhe së fundi, një pjesë e parcelës u shit për erë të tretë..
Sot, pronarët kërkojnë kthimin e shtëpisë së tyre.
Blerësit kërkojnë paratë që investuan.
Ndërsa personi që e shiti i pari këtë pronë, tashmë jeton jashtë vendit.
Një histori me dokumente, dyshime dhe vendime që nuk u morën kurrë në kohë.
Për këto dhe shumë të tjera, ndiqni emisionin "MAT" në Klan Kosova, të mërkurën nga ora 22:10.
https://www.youtube.com/watch?v=VCbuklGvQfA
●●●
GSHKRIMI NGA
G.U
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.