Lajmet e fundit

Por, përgjatë këtyre viteve sa ekziston marrëveshja, ka pasur edhe çarje të raporteve mes dy vendeve, gjegjësisht mes Kosovës dhe MCC-së. Më 13 mars të vitit 2020, MCC-ja pati pezulluar programet e zhvillimit ekonomik në Kosovë për shkak të mosheqjes së tarifës prej 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë nga Qeveria e atëhershme e Kosovës, “Kurti 1”.
Vlera e një programi që MCC-ja pezulloi në muajin mars, kapte shifrën prej 50 milionë dollarësh.
Qeveria u tërhoq nga tarifa 100 për qind ndaj mallrave serbe, mirëpo bllokimi i fondeve për Kosovën nga MCC-ja vazhdoi edhe më tej, tani për shkak të vendosjes së masave të reciprocitetit me Serbinë nga qeveria e atëhershme e “Kurti 1”, gjë që ishte kundërshtuar nga SHBA-ja.
Pas prishjes së koalicionit qeverisës LVV-LDK, dhe formimit të qeverisë nga LDK-ja me partitë tjera, masa e reciprocitetit u shfuqizua. Menjëherë, MCC-ja pati njoftuar më 6 qershor se i kishte zhbllokuar fondet e saj për Kosovën dhe se do të rifillonte zbatimi i programeve të zhvillimit ekonomik të vendit.
Ndërkaq, më 27 korrik të këtij viti, është nënshkruar marrëveshja 236 milionëshe.
Sipas kësaj marrëveshjeje, do të rritet fleksibiliteti i rrjetit energjetik të vendit dhe do të zvogëlohet kostoja e sigurimit të energjisë.
Shefja ekzekutive e Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), Alice Albright, e cila është vajza e tashmë ish-sekretares së ndjerë amerikane Madeleine Albright, erdhi në Kosovë me rastin e përmbylljes së programit pesëvjeçar të pragut.
Ajo të hënën është takuar me presidenten e vendit Vjosa Osmani, me kryeministrin Albin Kurti dhe kryetarin e Kuvendit Glauk Konjufca. Ndërkaq, sot ishte në lagjen Ulpiana në Prishtinë, për të bërë inaugurimin e soliterëve të renovuar pikërisht nga MCC-ja. Aty ajo u takua edhe me kryetarin e Prishtinës Përparim Rama, ministren e Ekonomisë Artane Rizvanolli, si dhe drejtorin e Fondacionit të Mileniumit në Kosovë (MFK), Petrit Selimi, njofton Klankosova.tv.

Pas kësaj, ajo e ka vizituar edhe Vitinë, ku është nderuar me titullin "Çelësi i Qytetit", nga kryetari i kësaj komune, Sokol Haliti./Klankosova.tv/.