Ministri i Jashtëm i Sirisë, Asaad Hassan al-Shaibani, dhe ministri i Mbrojtjes, Murhaf Abu Qasra, janë takuar në Moskë me presidentin rus Vladimir Putin, ku kanë diskutuar zgjerimin e bashkëpunimit strategjik, me theks të veçantë në sektorin ushtarak dhe industrinë e mbrojtjes, raportojnë mediat shtetërore siriane.
Sipas agjencisë shtetërore SANA, takimi u përqendrua në çështje politike, ekonomike dhe ushtarake me interes të ndërsjellë, ndërsa prioritet iu dha forcimit të bashkëpunimit mbrojtës. Palët diskutuan zhvillimin e partneritetit ushtarak dhe teknik, modernizimin e pajisjeve të ushtrisë siriane, transferimin e ekspertizës si dhe bashkëpunimin në kërkim dhe zhvillim në industrinë ushtarake.
Gjatë takimit u shqyrtuan mënyrat për avancimin e partneritetit ushtarak dhe teknik, në funksion të rritjes së kapaciteteve mbrojtëse të Ushtrisë Arabe Siriane dhe përshtatjes me zhvillimet moderne në industrinë e mbrojtjes.
Bisedimet përfshinë gjithashtu koordinimin politik dhe diplomatik mes Damaskut dhe Moskës në forumet ndërkombëtare, si dhe zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik, veçanërisht në projekte rindërtimi, zhvillimin e infrastrukturës dhe investimet në Siri.
Putin riafirmoi mbështetjen e Rusisë për Sirinë dhe integritetin e saj territorial, duke dënuar gjithashtu, shkeljet e përsëritura izraelite të territorit sirian, të cilat i cilësoi si kërcënim për sigurinë dhe stabilitetin rajonal.
●●●
SZSHKRIMI NGA
Sh Z
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.