Autori i emisionit Info Magazine, Kushtrim Sadiku, ka reaguar ndaj anulimit që Fatmir Matoshi, Ministër i Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, ia bëri pjesëmarrjes së paralajmëruar në debatin për protestat e qytetarëve kundër ndërtimit të hidrocentraleve në Lumbardh të Pejës.
Statusi i plotë:
Një ministër i papërgjegjshëm si Fatmir Matoshi
Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Fatmir Matoshi ka shpërfillur sot në tërësi përgjegjësinë publike si shef i dikasterit.
Ministri Matoshi, pasi e konfirmoi pjesëmarrjen në Info Magazine, duke e dakorduar edhe temën për protestat dhe pakënaqësitë e qytetarëve të Pejës karshi projektit të ndërtimit të hidrocentralit në lumin Lumbardh, pak para nisjes së emisionit e anuloi pjesëmarrjen.
Këtë e bëri pa asnjë arsye objektive. Justifikimi ishte se i paskan dalë obligime të tjera.
Kjo do të thotë se për ministrin nuk paska qenë i rëndësishëm shqetësimi qytetar.
Mungesa e thellë e profesionalizmit dëshmohet se anulimin pjesëmarrjes në Info Magazine e bëri nëpërmjet një njeriu tjetër, ndryshe nga konfirmimi që e bëri vet.
Anulimin e bëri nëpërmjet një këshilltari i tij, i cili aspak s’kishte njohuri për dakordimin e mëparshëm lidhur me pjesëmarrjen e ministrit.
Pra, arsyetimi sipas tij është se ministrit i paskan dalë obligime, teksa m’u ofrua zëvendësimi me pjesëmarrjen e këshilltarëve, një arsyetim i cili nuk qëndron për shkak të marrëveshjes parimore me debatuesin në krahun e kundërt.
Një këshilltar nuk mund ta zëvendësojë njeriun që ka përgjegjësinë kryesore në qeveri që të kujdeset për ambientin në Kosovë.
Në një situatë të tillë nuk bëhet kompromis. Jo kur duhet të jepet përgjegjësi dhe llogaridhënie para qytetarit. Prandaj, nuk pranova.
Tekefundit, është ministri ai që nënshkruan vendime, teksa vet Matoshi do të duhej të ishte njeriu i parë i cili iu del përballë qytetarëve për t'i siguruar se asgjë nuk do të bëhet në dëm të tyre.
Por, ministri Fatmir Matoshi këtë nuk e bën. Madje, këshilltari i tij thotë se është punë e ndonjë ministrie tjetër. Pra, merre me mend: për ambientin të kujdeset ndonjë ministri tjetër sikur që është ajo e Financave, ose Punës dhe Mirëqenies Sociale. Një nonsens total.
Pra, ministri nuk ka shpërfillur vetëm një emision televiziv, por ka shpërfillur një masë të madhe të qytetarëve në Pejë, të cilët sot dolën për ta shfaqur protestën e tyre kundër projektit të Hidrocentralit në Lumbardh, duke kërkuar shpjegime plotësuese rreth një ndërmarrjeje që përmban në vete shumë pikëpyetje.
Këtë e bëri sot ministri Fatmir Matoshi.
●●●
NSHKRIMI NGA
NP
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.