Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, ka uruar xhudisten Distria Krasniqi, për titullin e fituar. Krasniqi është kurorëzuar e para e botës në Kampionatin Botëror për juniorë në xhudo i cili po mbahet në Abu Dabi të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Shala ka përgëzuar xhudisten Krasniqi dhe ekipin e saj trajnues për këtë sukses të arritur. “Ky rezultat i Distrias është i mirëpritur dhe na gëzon e na bën krenar të gjithëve. Në anën tjetër, dëshmon për cilësinë e sportistëve tanë në arenën ndërkombëtare, ndonëse vend i vogël, por, Kosova po tregon se posedon shumë talente” ka thënë Shala.
Këtë të arritur të jashtëzakonshme të Krasniqit, ministri e konsideron si një nxitje që si MKRS të punojmë edhe më shumë në përkrahjen e sportistëve si dhe inkurajimin e të rinjve të merren me sport.
Në këtë urim të Shalës thuhet se ministria po punon që të krijojë lehtësira për funksionimin e federatave sportive përmes plotësimit të infrastrukturës ligjore duke mos lënë anash edhe punën në investimet kapitale në përmirësimin e kushteve për përgatitje sportive të këtyre të rinjve, transmeton Klan Kosova.
●●●
LSHKRIMI NGA
LiZe
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.