Tri herë në vit duhet të organizohet Provimi i Jurisprudencës dhe një gjë e tillë është kompetencë e Ministrisë së Drejtësisë.
Kështu e përcakton neni 4 i Ligjit për Provimin e Jurisprudencës, i miratuar në 2022-ën.
Ndërkaq, Udhëzimi i ri Administrativ për Mënyrën e Dhënies dhe Programin e Provimit të Jurisprudencës, i nxjerrë më 2024-ën, e cakton edhe kohën e mbajtjes së këtij provimi, raporton Kiks Kosova.
Sipas pikës 2 të nenit 4 të këtij Udhëzimi Administrativ, Provimi i Jurisprudencës duhet të mbahet në javën e parë të muajit mars, në javën e parë të muajit qershor dhe në javën e parë të muajit tetor.
Madje, ky udhëzim administrativ e obligon MD-në që kalendarin e provimit të Jurisprudencës ta publikojë jo më vonë se më 31 janar për vitin që do të organizohet provimi.
Megjithatë, duke e shkelur këtë dispozitë ligjore, Ministria ka 1 vit që nuk e ka organizuar asnjë afat të këtij provimi.
Hera e fundit kur u mbajt ky provim ishte më 26 dhe 27 prill të 2025-ës.
Ministria lëre që nuk e organizoi më këtë provim, por as nuk e publikoi orarin e organizimit të tij për 2026-ën, siç e obligon Udhëzimi Administrativ.
Kësisoj, kjo Ministri e humbi edhe afatin e muajit mars të këtij viti, duke e çuar në 3 numrin e afateve të humbura.
Humbja e tre afateve të provimit më të rëndësishëm për çdo jurist, ka dëmtuar qindra, apo mijëra, kandidatë që po presin tash e 1 vit t'i nënshtrohet provimit të Jurisprudencës.
Sipas të dhënave që Universiteti i Prishtinës ia ka dërguar emisionit Kiks Kosova, rezulton se vetëm gjatë periudhës 2023-2025, në Fakultetin Juridik të këtij universiteti kanë diplomuar 1 mijë e 217 studentë në nivelin Bachelor dhe 387 të tjerë në nivelin Master.
E jo vetëm ata që diplomuan në tri vitet e fundit po e presin ende këtë provim.
Sipas njoftimeve në webfaqen e Ministrisë së Drejtësisë, numri i atyre që iu nënshtruan herën e fundit Provimit të Jurisprudencës ishte 620, ndërkaq këtë provim e kaluan vetëm 76 prej tyre.
Njëra nga kandidatet, e cila ka 1 vit që po pret t'i nënshtrohet sërish Provimit të Jurisprudencës, thotë se çdo ditë e humbur, po e dëmton në zhvillimin e saj profesional.
E njëjta hyri në këtë provim vitin e kaluar, dhe thotë se ishte përvoja më e keqe në rrugën e saj akademike.
Kiks Kosova ka një javë që ka kontaktuar me zëvendësministrin e Drejtësisë, Genc Nimoni, dhe ka adresuar pyetje në e-mailin e tij e në atë të Ministrisë.
Mirëpo, deri në transmetimin e këtij emisioni, as zëvendësministri dhe as Ministria nuk kanë kthyer përgjigje se pse nuk është mbajtur ky provim dhe as kur do të organizohet Provimi i ardhshëm i Jurisprudencës.
Juristët që po presin t'i nënshtrohen këtij provimi, kanë ngecur në zhvillimin e tyre profesional, derisa ministria bën sehir e nuk përmbush obligimet e saj ligjore.
E njëri nga ta vendosi që këtë çështje ta zgjidhë përmes Gjykatës. Kështu, më 10 shkurt të këtij viti, Yll Zekaj e paditi Ministrinë e Drejtësisë, për mosorganizimin e Provimit të Jurisprudencës tri herë në vit, ashtu siç e parasheh ligji.
Madje, avokati pohon se në këtë rast ka bazë edhe për kallëzim penal ndaj zyrtarëve të Ministrisë të cilët nuk i kanë kryer detyrat e tyre për organizimin e këtij provimi.
Kjo neglizhencë dhe heshtje e MD-së, sipas avokatit, po dëmton qindra, mijëra juristë të diplomuar, duke ua pamundësuar qasjen në profesion.
Prandaj, më 14 mars të 2025-ës, Shoqëria e Avokatëve “De Jure”, i janë drejtuar me një letër Ministrisë së Drejtësisë, në kohën kur në krye të saj ishte Blerim Sallahu, me kërkesën që kjo ministri t’i përmbush obligimet e saj që dalin nga Ligji për Provimin e Jurisprudencës dhe Udhëzimi Administrativ për mbajtjen e këtij provimi, por që asnjëherë nuk ka pranuar përgjigje.
Nga Instituti i Kosovës për Drejtësisë pohojnë se Ministria e Drejtësisë ka shkelur ligjin për Provimin e Jurisprudencës, duke i humbur tri afate për organizimin e këtij provimi.
Cenimi i të drejtës së juristëve për t'iu nënshtruar provimit të Jurisprudencës dhe qasjes në profesion, sipas Naim Jakajt, po ndodh për fajin e Ministrisë së Drejtësisë.
Ndiqni kronikat e realizuara nga Kiks Kosova për këtë çështje:
https://youtu.be/qpoGYkZ9TJo
https://youtu.be/1douOLK4Ils
https://youtu.be/CxiR5XTKov4
https://youtu.be/fFBeEXiKJ5A
●●●
BTSHKRIMI NGA
Bleona Thaqi
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.