Njëri prej përfaqësuesve të Dokufestit, Samir Karahoda, ka thënë dje për Info Magazine të Klan Kosovës se kërkesa e tyre për përkrahje është refuzuar nga Ministria e Kulturës për shkak të mungesës së dokumentacionit.
“Dje e kemi pranu një përgjigje nga ministri i Kulturës, ku propozimi ynë është refuzuar për shkak të mungesës së dokumentacionit, mirëpo kjo është diçka që na ka bo pak me u shqetësu, por që festivali veç fillon nesër, edhe ne i kemi planifiku të gjitha aktivitetet duke e paraparë edhe përkrahjen e Ministrisë së Kulturës”, ka thënë Karahoda të enjten në Info Magazine të Klan Kosovës.
“Fatkeqësisht, kjo nuk është hera e parë që ne ballafaqohemi me këso probleme”.
“Ne shpresojmë që ministria ka me e marrë parasysh ankesën që e kemi dërguar sot edhe që sa më shpejtë ta korrigjojmë vendimin, i cili është plotësisht i padrejtë edhe i paarsyetueshëm”.
Ndonëse Karahoda e ka lëvduar kalimin e proceseve në sistem digjital, ai e ka kritikuar këtë proces që ka mangësi, pasi që organizatorët e Dokufestit e kanë ngarkuar të gjithë dokumentacionin e kërkuar.
“Ministria e Kulturës sivjet ka filluar një proces të ri të aplikimit, siç e dini ka fillu me e digjitalizu formën e aplikimit që ne gjithsesi e përkrahim këtë formë, pasi që e eliminon keqpërdorimin edhe është një proces më transparent. Fatkeqësisht sistemi digjital ka pasur mangësi, ku në aplikacionin tonë del një numër i madh dokumentesh, të cilat mungojnë në aplikacion, pra dokumentacioni origjinal nuk është ngarkuar plotësisht”.
“Ne i kemi dëshmitë që i kemi dërgu të gjitha dokumentet edhe ndoshta njëra prej të vetmeve organizata që punojmë plotësisht me rregulloret dhe me ligjet në fuqi, jemi të paktat organizata në Kosovë që i marrim parasysh tepër këto, pasi që kemi punë me shumë organizata të huaja edhe donatorë të huaj, ku gjithsecili ia kërkon. Kjo na ka shqetësuar”.
Mirëpo, në postimin e djeshëm të Ministrisë së Kulturës thuhet që palët kanë të drejtë për ankim në afatin e përcaktuar, t’i nënvizojnë pretendimet ankimore se e posedojnë dokumentacionin përkatës lidhur me kriteret e thirrjes, ta ofrojë të gjithë dokumentacionin faktik që është kërkuar në thirrje dhe të argumentojë në ankesë se gjatë aplikimit online është penguar nga faktorë teknikë apo teknologjikë.
“Megjithatë, nga vlerësimet e brendshme të të gjithë procesit, kemi konstatuar se digjitalizimi i procedurës së aplikimit në këtë thirrje publike është përcjellë me vështirësi objektive me potencial të zhvlerësimit procedural të aplikimeve jashtë përgjegjësisë së palëve”, thuhet në postimin e Ministrisë së Kulturës.
“Rrjedhimisht, MKRS-ja, duke i zbatuar detyrimet e saj ligjore për qasje transparente dhe të papenguar në procedura administrative, përkatësisht, obligimin që pala të mos pësojë nga pengesat teknike dhe teknologjike gjatë ofrimit të dokumentacionit që e posedon pala dhe të kërkuar me thirrjen publike, do të sigurojë që në procedurën e mjeteve juridike (ankesat e palëve) të shqyrtojë dhe vendosë mbi rastet potenciale që refuzimi i tyre ka ardhur si rezultat i këtyre rrethanave”.
●●●
LSHKRIMI NGA
L
Editorial nga Klan Kosova — ndjek kulturë dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.