Lajmet e fundit

David Thorburn
Pse ndodhi shkëputja moderniste nga Viktorianizmi “didaktik”?
Le ta kujtojmë që nuk ishte vetëm fenomen letrar, ndodhi në muzikë, ndodhi në artet pamore. Në fakt transformimi fillon estetikisht në shekullin e XIX me pikturat impresioniste franceze, e që është rrënja e krejt modernizmit, e krejt asaj që e quajmë modernizëm, por edhe ai transformimi nuk është në radhë të parë estetik. Ka të bëjë me mënyrën se si sistemet e besimit fillojnë të ndryshojnë dhe se si fillojnë të ndryshojnë rrethanat fizike të jetëve të njerëzve. Andaj çfarë fillon të ndodhë në shekullin XIX janë disa gjera themelore. Njëra është ngritja e madhe dhe e fuqishme e shkencës. Kishte zbulime shkencore që nga shekulli XVI por shek XIX ishte shekulli në të cilin të kuptuarit e aplikuar të shkencës transformoi jetët e njerëzve. Njerëzit që rronin brenda një rrezeje prej 30 kilometrash nuk ishin më të ngujuar aty ku jetonin sepse u bëmë popullatë e lëvizshme shkaku i hekurudhave dhe shkaku i sistemeve të tjera të transportit. Edhe gjëra të tjera filluan të ndodhin në të njëjtën kohë, pasi transformimet kishin të bënin edhe me çështjet filozofike. Pjesa e vonë e shekullit 19 e përbënte epokën e Niçes dhe Shopenhauerit, filozofëve të skepticizmit, filozofëve të dyshimit, filozofë të cilët minuan perspektivat tradicionale. Ato qëndrime filozofike kishin një homolog estetik në eksperimentalizëm dhe në armiqësinë ndaj traditave të pranuara që shpesh i gjeni në veprat moderniste.
Andaj, do të thosha se një artikull tjetër, një artikull joestetik që duhet ta mbajmë mend e që ka ekzistuar në të njëjtën kohë, e që ishte kanal për eksplorimin e aspektit të asaj që e quajmë modernizëm jashtë asaj që e quajmë modernizëm në letërsi ose arte, është vepra e Sigmund Frojdit, e cili ishte në fakt një lloj paraleleje. Andaj, ka kuptim nëse e mendoni Frojdin më shumë si artist se sa si shkencëtar, por zbulimet e Frojdit, për shembull ai që presionet e brendshme te qeniet njerëzore për çfarë ata nuk ishin të vetëdijshëm dhe që i udhëhiqnin sjelljet e tyre është njëri prej reflektimeve dhe parimeve më themelore dhe gjallëruese të një pjese të madhe të letërsisë moderniste. Subjektivizimi i tendencave të letërsisë moderniste, theksi në një perspektivë të vetme individuale kundrejt perspektivës universale të cilën e nënkuptoj me atë kur ju iu referuat shekullit XIX si shekull didaktik. Nuk e di nëse do ta quaja didaktik por sigurisht do ta quaja shumë më konfident për kapacitetin për të gjeneralizuar për botën, dhe që arsyet janë filozofike dhe morale. Ndërkaq, ajo që e zbuluan së pari piktorët impresionistë është në qendër të asaj se çfarë është modernizmi. Piktorët impresionistë zbuluan që pozicioni juaj subjektiv e afekton atë që e shihni. Që ju nuk e shihni të njëjtën gjë të cilën e shohin që të gjithë. Secili sheh diçka pjesërisht ndryshe. Dhe jo vetëm kjo. Por po ashtu është edhe kjo pjesa tjetër që ajo në të cilën ju po shikoni, po ndryshon vazhdimisht. Nuk është statike dhe e përfunduar. E ato depërtime në intuitë që janë të ngulitura në punën dhe karrierën e një piktori si puna e Monesë janë sigurisht pasqyra qendrore të modernizimit të aplikuara në disa mënyra të ndryshme. Dhe dikush po deshi mund ta bëjë një hartë që përcjell lidhjen midis modernistëve të mëdhenj në letërsi dhe homologëve të tyre në pikturë.
Pse tëhuajtja mbizotëron mes temash moderniste?
Mendoj që njëra përgjigje do të ishte që ka dallim në shkrimin modernist para luftës së Parë Botërore dhe pas Luftës së Parë Botërore. Andaj, Lufta Botërore ishte një arsye për sensin e madh dhe të fuqishëm të tëhuajtjes nga vlerat tradicionale dhe strukturat tradicionale që i gjen te shkrimtarë si Xhejms Xhojsi, Virginia Woolfi, Tomas Mani, Marsel Prusti në Francë. Por, dallimi i paraluftës me atë të pasluftës është shumë i rëndësishëm. Shkrimtarët e paraluftës të cilët veprimtarinë më të madhe e kishin kryer paraluftës shpesh udhëhiqeshin dhe ishin përplot skepticizëm për të kuptuarit e pranuar por nuk ishin të dëshpëruar, dhe nuk ishin aktivisht domosdo armiqësor ndaj vlerave të pranuara, teksa pas luftës së parë botërore, mendoj pjesërisht për shkak të cinizmit dhe diziluzioneve që e mbuluan Evropën pas luftës, pas asaj që amerikanët e quajtën lufta për dhënien fund të luftërave, dhe ishte një katastrofë e tmerrshme dhe vicioze moral për të gjitha palët dhe ne e dimë sigurisht që prushi qëndroi mjaftueshëm sa për ta zier edhe një luftë tjetër botërore më vonë andaj lufta ishte një arsye. Por mendoj që po ashtu transformimet e jetës ishin një arsye tjetër. Teksa shekulli XIX po merrte fund, njerëzit në Perëndim u bënë shumë e më shuam urbanë, jetonin shumë e më shumë në qytete, ishin shumë e më shumë literalisht të tëhuajtur nga njëri tjetri sepse nuk jetonin në komunitete. Për shkak që ishin më mobilë, nuk rronin më në komunitete ku kishin fqinj dhe miq dhe familjarë që i njihnin. U bënë më të urbanizuar dhe ky ishte një funksion i tëhuajtjes po ashtu. Dhe kur sheh disa shkrimtarë të mëdhenj francezë të fundit të shekulli XIX, ekziston një sens shumë i fuqishëm që parimi i jetës moderne ishte aq intensiv sa të ndillte tëhuajësim. Dhe çfarë kemi lënë pa përmendur? Sigurisht, të madhin filozof të tëhuajësimit në ekonomi dhe kulturë – Marksin. Sigurisht, diagnoza e Marksit për shoqërinë moderne ishte që njerëzit ishin të tëhuajtur në vendet e tyre të punës dhe mendoj që është një diagnozë e thellë dhe e saktë në shumë mënyra. Punëtorët ishin të tëhuajtur nga puna e tyre. Puna u bë më e rutinizuar. Puna në fabrika u bë më e zakonshme teksa po kryhej shekulli XIX dhe teksa po futeshim në shek XX. Një version komik të kësaj që do ta përfshija si formë të modernizmit do të ishte filmi “Kohërat Moderne” i Charlie Chaplinit që është një sulm sistemik në atë që ai do ta quante modernitet. Ato ishin disa nga arsyet për sensin e thellë që uni, që individi në artet moderniste dhe letërsinë moderniste është i tëhuajtur nga familja, nga shteti, nga traditat morale dhe kjo është e vërtetë. Dhe sigurisht ekzistojnë nivele për këtë – jo të gjithë ishin të tëhuajtur. Në fakt, unë vetë do të thosha që figura kryesuese e letërsisë moderne është figura qendrore e Uliksit të Xhojsit, Leopold Bloomi. Nuk është aksidentale që ai është hebre – një autsajder në shoqërinë irlandeze ku është i vendosur tregimi. Ka skena ku ai është subjekt i ngacmimeve anti-semitike por ajo që e bën atë figurë përfaqësuese të modernizmit në një kuptim është që jashtë autsajderizmit të ti, situata e tij është pjesërisht e pazgjedhur nga ai pasi është situatë që ia kanë imponuar rrethanat e tij kulturore. Andaj mendoj që ai është një figurë karakteristike.
Funksioni kryesor i rrjedhës së ndërdijes dhe monologut të brendshëm
Një prej synimeve qendrore të shkrimtarëve që i përqafuan strategjitë si monologu i brendshëm, si Xhojsi apo Woolfi, apo pasardhësit e tyre si Gabriel Markezi, apo dishepujt e tyre në pjesën e vonë të shekullit XX e deri në kohët tona, mendoj që ata nuk kanë ambicie identike por ka një mbivendosje. Mendoj që sensi i tyre i parë dhe më i thellë është që të provojnë dhe të insistojnë në – si ta quajmë – një version të cilin e quaja më parë – të dhuratës të cilën piktorët e parë impresionistët francezë na e dhanë. Njohjen e botës si botë shumë më e ndërlikuar se sa na thoshin sistemet e hershme, pasi që jo vetëm që secili moment është moment në tranzicion, porse bota nuk është kurrë stabile, është konstant duke ndryshuar. Mendoni për pikturat e Monesë – 30 piktura të katedrales së njëjtë. Me drita ndryshe, me mot të ndryshëm, gjatë pjesëve të ndryshme të dritës – nuk është katedralja e njëjtë. Mendoj që në një aspekt kjo qëndron në themel të parimit të rrjedhës së ndërdijes në letërsinë moderniste. Pasi që ajo për të cilën fillimisht insiston rrjedha e ndërdijes është subjektiviteti fantastik i diskursit. E pranon që nga fillimi që rrëfimtari është i pjesshëm – se ajo që na tregon rrëfimtari kufizohet brenda aftësive të tij të kuptuarit dhe aftësive të tij verbale dhe kështu me radhë dhe shumë faktorë të tjerë – për shembull klasa shoqërore e rrëfimtarit, arsimimi i rrëfimtarit, dhe sigurisht varet nga stili i rrjedhës së ndërdijes që vihet në përdorim. Andaj, një gjë për të cilën ata insistojnë është ajo që mund ta quajmë perspektivalizëm konstant përmes së cilit ata po thonë që asnjë pikëpamje e vetme nuk do të funksionojë apo nuk është tërësisht e vërtetë. Dhe kjo në një sens thellësisht i minon sistemet tradicionale morale që thonë se Zoti e ka bërë Tokën në këtë mënyrë të caktuar dhe këto janë mënyrat bazike përmes së cilave operojmë në këtë botë dhe këto janë mënyrat se si gjeneralizojmë për qeniet njerëzore. Ndërkaq modernizmi thotë: pa prit pak se secili moment e ka një unikalitet potencial, secili person i vetëm është unik. Një mënyrë se si mund ta ndieni këtë dallim është njëra prej dallimeve më të thella midis teksteve madhore moderniste dhe teksteve të shekullit XIX është që tekstet e shek XIX janë të gjigantërisht të gjata me platituda. Dhe me gjatësi nuk e kam fjalën sa u përket faqeve pasi që tekstet moderniste mund të jenë po aq të gjata dhe të trasha, por Lufta dhe Paqja e mbulon Luftën dhe Paqen. “Middlemarch” e mbulon dhe është një kronikë e shumë jetëve dhe e një komuniteti të tërë. Uliksi i Xhojsit ngjet në Dablin brenda një dite të vetme. Dhe të njëjtën gjatësi të këtij libri e ka edhe Lufta dhe Paqja. Dhe ajo gjë që modernizmi e sugjeron është që bota është pafundësisht me nuanca, më e komplikuar, më kokërrizore se sa të kuptuarit tonë të hershëm të saj, dhe tani duhet të marrim mikroskopë për gjërat për të cilat dikur ndoshta as që kemi folur. Kjo është një arsye. Mendoj që një arsye tjetër se pse ata e përdorin rrjedhën e ndërdijes në atë mënyrë është që ata janë thellësisht të interesuar - në një kuptim - në zhvlerësimin e fabulës tradicionale dhe t’i theksojnë më shumë dimensionet psikologjike dhe filozofike të të shkruarit. Një aspekt tjetër i të shkruarit modernist është që e sjell në vëmendje vetë të shkruarit. Jeni të vetëdijshëm për autorin apo për strategjitë e narracionit që janë vënë në përdorim. Nganjëherë, shumica prej tyre, në radhë të parë librat modernistë, vendosnin strategji përmes së cilave ju detyronin që ta kuptoni se ekziston edhe një tregim i dytë. Kjo është ajo që unë nganjëherë e quaja “drama e të rrëfyerit të tregimit” e që garon me tregimin tradicional, dhe shumë lexuesve u humb durimi dhe thonë – ta zëmë në tekstin e “Zemra e errësirës” e Xhozef Konradit të cilin shumë e shumë njerëz e dinë, në fund të shekullit XIX, gati në hyrje në shekullit XX. Sërish e sërish në atë tregim ku pjesa dërrmuese rrëfehet nga një rrëfimtar i vetës së parë, rrëfimtari vazhdon të ndalet dhe të thotë: Pa prit një sekondë, nuk po më kujtohet, ose ai do të ndalojë së rrëfyeri tregimin dhe u kthehet njerëzve të cilët po e dëgjonin. Andaj ju në mënyrë konstante jeni të vetëdijshëm teksa po e lexoni “Zemrën e errësirës” për kohën kur ka ndodhur ai tregim dhe për kohën kur ai tregim po rrëfehet. Kjo është një strategji kyçe e modernizmit dhe ka implikime filozofike. Është mënyrë për ta tërhequr vëmendjen për hendekut që ekziston midis fjalëve dhe veprave, shpesh njerëzit të cilët veprojnë në letërsinë moderniste nuk e kuptojnë se çfarë po ndodh dhe vetëm pas faktit që vetja rrëfyese mediton mbi atë se çfarë ka bërë, fillon ta kuptojë sjelljen vet. Këto janë disa prej arsyeve se pse është e pranishme rrjedha e ndërdijes. Dhe efekti është që ta hedhë energjinë më thellë dhe plotësisht në atë që mund ta quajmë “psikologji individuale” dhe përvojë individuale duke e pranuar që është vetëm një prej tyre prej një mizëri perspektivash që teksti për të cilat teksti mund të jetë duke na e bërë me dije, por jo që plotësisht ta dramatizojë atë. Dhe Woolfi e bënte këtë – ajo nganjëherë vizitonte edhe vetëdije të tjera – mund të ishin tri a katër a ndoshta edhe më pak që ishin qendrorë në ndonjërin prej romaneve të Woolfit.
E vendosni autoritetin e lexuesit para varësisë nga kritikët. Pse?
Mendoj që janë dy arsye për këtë. Njëra është që letërsia moderniste letërsi sfiduese dhe kërkuese. Angazhohet me forma të “vonesës” dhe “zbulimit” përmes së cilave lexuesit lihen në errësirë apo të hutuar për periudha të gjata dhe kjo mendoj që u ka kushtuar romancierëve modernistë romancierë posaçërisht shkrimtarëve si Xhojsi dhe Folkneri, sepse janë shumë të zorshëm. Por, për shkak që është e vështirë, kjo ka inkurajuar një klan të shpjeguesve të cilët janë promovuar në akademi pasi kanë shkruar libra dhe artikujt për Xhojsin dhe Vullfin dhe Konradin e kështu me radhë. Dhe shihni, unë jam vetë përfitues nga ky sistem dhe nuk dua të tingëlloj sikur jam tërësisht negativ lidhur me këtë gjë. Jam vetëm pjesërisht negativ për këtë gjë. Mirëpo jam negativ ndaj kësaj gjëje dhe nuk mendoj që është një sistem i mirë sepse dy gjëra janë pasojë e sistemit. E para është, për shkak që librat shpesh janë shumë të vështirë, argumentet kritike shpjeguese nga të ashtuquajtur profesorë apo shkollarë që kanë diploma, apo që kanë publikuar libra bartin peshë tepër të madhe me lexuesit e zakonshëm. Dhe mendoj që për Xhojsin më shumë janë shkruar nonsens dhe gjepura qesharake se sa që janë shkruar gjëra të mira. Dhe kështu pastaj bëhet e vështirë ta dallosh shkrimin e mirë prej të keqit posaçërisht për amatorët që kanë ardhur aty për të kërkuar ndihmë. Andaj kjo është një arsye pse mendoj që është e rrezikshme, kështu që është mirë që t’i besoni vetes suaj. Ajo që provoj ta bëj në ligjëratat e mia është që t’i fuqizoj lexuesit që t’i besojnë më shumë vetes edhe në rastet kur hasin në shkrimtarë shumë të vështirë. Nuk mendoj që nuk ka vepra kritike dhe biografike që janë shumë dobishme për modernistët. Ka të tilla dhe unë kam mësuar goxha shumë prej tyre. Mirëpo, gjithashtu ka aq shumë tepri, ka aq shumë nonsens që është shkruar. Një tjetër arsye është që ju nuk shkoni në burg për keqinterpretim të Xhojsit. Nuk e lëndoni askënd nëse e bëni atë veprim. Mirëpo e lëndoni të kuptuarit e lexuesve. Nëse i lexojnë këto interpretime të marra dhe thonë “oh po, e di që ai është shkrimtar i ndërlikuar andaj kjo kritikë duhet të jetë e vërtetë edhe pse unë nuk e kam parë”. Unë e theksoj më shumë atë që është në sipërfaqe të tekstit e madje t’u besoni edhe vetë shushatjeve tuaja.
Ç’ka mbetur aktuale dhe relevante tash nga ajo periudhë?
Ndoshta ende janë relevante por janë relevante në mënyra të ndryshme. Njëra prej arritjeve qendrore të modernizmit, qoftë modernizmit në pikturë apo atij në letërsi, është që ta bëjnë sjelljen seksuale të përdorshme edhe në artin serioz. Para shekullit XX, shkrimtarët, përpos pornografëve, nuk lejoheshin që t’i shpjegonin sjelljet intime. Njëra prej trashëgimeve më të mëdha të Xhojsit dhe D.H Lawrencit, posaçërisht e atyre dyve edhe pse kishte edhe shkrimtare të tjerë – është liria për të folur për trupat tanë, siç e ka bërë letërsia bashkëkohore. Në një sens, kjo betejë është fituar. Librat e Xhojsit dhe Lawrencet ndaloheshin për shkak që konsideroheshin të ndyrë dhe ata fituan në gjykata. Por ajo që e fituan ishte e drejta për shkrimtarët seriozë që të flasin për përvojën më intime, dhe dikush do të mund të thoshte për njërën prej përvojave më të rëndësishme që njerëzit kanë. Andaj kjo është një arritje tepër e madhe. Por në një kuptim të caktuar, loja tash ka ndryshuar. Ka humbur shok-vlera. Apo duhet të shkojnë në drejtime sado-mazohiste apo edhe më ekstreme në mënyrë që të na shokojnë, apo jo? Andaj, ajo anë e modernizmit tashmë është në atë sens më pak relevante. Por mesazhi që na e dërgon mendoj, është ende tejet i rëndësishëm dhe kyç. Nëse e shikoni Lawrencin, nëse e shikoni Xhojsin, nëse i shikoni ata që erdhën pas tyre e të cilët shkruan më së miri për seksin, shkrimtarë si John Updike për shembull, të cilët shkruanin me inteligjencë të madhe dhe me butësi për seksin. Për dallim nga shumë shkrimtarë të tjerë modernë amerikanë si Philip Rothi dhe Norman Maileri të cilët nuk shkruanin, por Updike shkruante. Më duket mua që ai është i aftë ta bëjë atë, dhe i aftë ta përshkruajë me një butësi dhe drejtpërdrejtësi të tillë për shkak të asaj që Xhojsi dhe Lawrenc e kishin bërë para tij. Prandaj mendoj që kjo është ende relevante. Por mendoj që ka edhe anë të tjera për të cilat modernistët na flisnin dhe që mbeten po aq në fuqi. Dhe gjëja primare që na e tërhiqte vërejtjen gjatë gjithë kohës ishte pabesueshmëria jonë - në një kuptim. Është shkalla se si ne si qenie njerëzore udhëhiqemi jo vetëm nga dëshirat tona racionale apo nga ajo që i themi vetes se cilat janë motive tona, por që udhëhiqemi edhe nga motivet ndaj të cilave nuk jemi fare të vëmendshëm. Vazhdimisht në modernizëm, në letërsinë moderniste, hasim në rrëfimtarë që janë të pambështetshëm në mënyra të çuditshme e që janë shumë instruktive. Ata janë të pambështetshëm pasi që u janë nënshtruar formave të vetëmashtrimit që kërkojnë që ata të besojnë gjëra të caktuara për botën, po mendoj tash posaçërisht për romanin e madh të Ford Maddox Fordit, “Ushtari i mirë” i 1915-ës. Rrëfimtari i atij romani e mashtron veten pasi që përballimi i së vërtetës do të kishte qenë shumë i dhimbshëm për të. Sepse ashtu atij do t’i duhej ta zbulonte se ishte përgjegjës për mizorinë dhe tragjedinë e jetës së tij. Dhe mua më duket që vijon të jetë një leksion edhe për individët por posaçërisht edhe për shoqëritë tani. Mendoj që udhëheqësit tanë po e bëjnë këtë. Ata u thonë vetes së tyre që po e bëjnë një gjë për një arsye, por ato qartazi nuk janë arsyet që po i shtyjnë ata të veprojnë asisoj. Ata po shtyhen nga forca të tjera dhe frikësohem që kjo është po ashtu e vërtetë për të gjithë shoqërinë. Nëse mendojmë për shoqërinë siç mendonin disa prej shkrimtarëve tanë, si përgjigje – në disa anë - në nivel makro ashtu siç bën individi në nivel më të vogël, mund të themi që shoqëria vetë ndien që po bën diçka por sigurisht ka motive të tjera të cilat nuk po i pranon. Një vend ku kjo dramatizohet thellësisht dhe është shumë relevante edhe sot në regjistra të ndryshme është në “Zemrën e Errësirës” së Konradit të cilën e përmenda më parë. Deluzioni dhe vetëmashtrimi i vërtetë në atë libër nuk është i rrëfimtarit por është i kulturave dhe libri e përshkruan këtë. Është deluzioni i ligë që Perëndimi po e përmirëson Afrikën duke shkuar atje që të bëjë gjenocid. I thotë vetes që ajo që po e bën është që po shkon atje t’i konvertojë njerëzit në të krishterë dhe t’i largojë zakonet e egra, por ajo që në të vërtetë po e bën është që po ushtron gjenocid. Ai libër dhe ato argumente anti-perandorake janë të pranishme edhe te Xhojsi, janë edhe te Virgina Woolfi, janë të pranishme te Lawrenci. Janë të pranishëm te shkrimtarët evropianë. Ndoshta janë po aq relevante sot sa kurrë më parë.
