Nga e thëna në të bërë, Donika Gërvallës s’i dolën 80 muaj të tërë.
Nga 2018-ta, siç deklaroi vetë, ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme nuk iu drejtua asnjëherë Gjykatës Speciale të Kosovës me seli në Hagë, as me dëshmi e as me dokumente për të zbardhur vrasjet politike, raporton Klan Kosova.
Deri në ditën kur Prokuroria mbaroi së dorëzuari dokumente e së thirruri dëshmitarë, nuk ka gjurmë rrëfimi të Gërvallës. Por, është vetë fakti që nuk ka dorëzuar dëshmi – ashtu siç ka paralajmëruar – ai që është përdorur nga Prokuroria e Hagës, qysh në fillim të procesit madje, për ta mbajtur në burg Rexhep Selimin.
Kur 10-shi i luftës kërkoi të lirohej me kusht, ish-kryeprokurori në detyrë, Alex Whiting, bëri një koment të ri në prill 2023.
“Fillimi i gjykimit në çështjen konkrete e ka përforcuar edhe më shumë klimën e ndërhyrjes te dëshmitarët. Përmbajtja e një emisioni televiziv në Kosovë që u transmetua më 4 prill 2023, qartazi e prezanton vazhdimin e kësaj çështje problematike”, tha Alex Whiting, ish-kryeprokuror në ZPS.
Prokuroria e citon intervistën dhe deklarime të mysafirit Rron Gjinovci në emisionin “Konfront” në KTV, ku për herë të parë dhe të fundit në Hagë, përflitet Donika Gërvalla.
Gërvalla deklaroi të premten se arsyeja e vetme që nuk ka dorëzuar dëshmi është se Haga ka trajtuar dëshmitarë të dorës së parë, jo të tillë që mund të kenë dëgjuar diçka.
Kjo nuk është krejt e vërtetë, sepse në mesin e 172 dëshmitarëve të Prokurorisë, ka edhe dëshmitarë rrethanorë.
Arsyeja që Gërvalla u deklarua më në fund për këtë temë, është mosvotimi pro saj për kryekuvendare nga Shqipe Mehmeti Selimi, bashkëshortja e Rexhep Selimit të cilin ministrja në detyrë, në vitin 2020 e kishte quajtur figurë të botës së krimit dhe emërimin e tij si shef të GP-VV, sinjal të shëmtuar për faktin se atëbotë ai ishte i dyshuar i Hagës. /Klankosova.tv
https://klankosova.tv/kandidatet-per-mitrovicen-e-veriut-betim-pesimisti-e-hap-kuleten-per-kafe-video12/
●●●
LGSHKRIMI NGA
L. Ga.
Editorial nga Klan Kosova — ndjek video lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.