Komuna e Pejës po del të jetë një problem dhe rrezik i madh sa i përket mostrajtimit, kastrimit dhe sterilizimit të qenve endacakë.
Trajtimi i fundit i qenve endacakë përmes metodës kap, sterilizo, vaksino dhe lësho, në këtë komunë ishte bërë në vitet 2014-2015, përmes një projekti, i cili kishte qenë në bashkëpunim me disa organizata të huaja.
Në këtë komunë, në qendër të qytetit, shihet një numër i madh i qenve endacakë pa vëth ose matrikula, sepse nuk janë të trajtuar me metodën KSVL.
Drejtori i Bujqësisë në Komunën e Pejës, Tahir Shala, për KIKS Kosovën, ka bërë të ditur se edhe këtë vit për momentin nuk kanë ndonjë projekt si komunë për trajtimin e qenve endacakë.
Shala ka theksuar se në kohën e kryeministrit Haradinaj, në bashkëpunim me AUV-in, ka qenë një projekt për trajtimin e qenve endacakë, por nuk ka informacione se çfarë ka ndodhur më tej.
Ai ka njoftuar se për këtë vit kanë ndarë 40 mijë euro për ndërtimin e një strehimore për qentë endacakë dhe 200 mijë euro për trajtimin e tyre.
Mirëpo, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë vazhdon të fajësojë komunat, për trajtimin e qenve endacakë sepse, sipas tyre, përgjegjësia bie mbi to.
Në rastin konkret për Komunën e Pejës, kanë theksuar se ka qenë kompetencë e tyre sikurse për komunat e tjera në mbarë vendin, për të zhvilluar projektet sipas mandatit që kanë pasur.
Zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Lamir Thaçi, për KIKS Kosovën, përmes përgjigjeve elektronike, ka thënë se kanë dhënë rekomandime për secilën komunë, përfshirë edhe Komunën e Pejës, që të trajtojë me prioritet trajtimin e qenve endacakë si çështje.
Megjithëse Thaçi ka thënë se AUV-i, gjatë vitit 2019, kishte shtrirë projekte në gjithë territorin e vendit, me ç’rast i ishin drejtuar asociacionit të komunave që të fillojnë me përgatitjet dhe të ndajnë buxhet për trajtimin e qenve endacakë nëpër secilën komunë.
https://youtu.be/nch039I3BgI
●●●
KKSHKRIMI NGA
Kiks Kosova
Editorial nga Klan Kosova — ndjek video lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.