Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje është duke u frikësuar nga votimi pro themelimit të Komisionit Parlamentar për Hetimin e Rritjes së Çmimit të Energjisë Elektrike.
Në Info Magazine të Klan Kosovës, ajo ka theksuar se do të zbardhen të gjitha shkeljet ligjore, për të cilat pretendon se janë bërë me rritjen e çmimit të energjisë elektrike.
"Ndodhi ajo që nuk pritej, për herë të parë mohohet e drejta për themelimin e një komisioni hetimor parlamentar. Nuk e di nga çka po frikësohen, kjo është e pafalshme, do t'u kushtojë politikisht. Ky është një veprim i papritur dhe antikushtetues, nuk ka ndodhur asnjëherë në historinë e Kosovës që të pengohen 40 nënshkrimet për ta themeluar një komision hetimor për çfarëdo qoftë ai".
"Po të isha kryeministri Albin Kurti, do të bëja ftesë që ai komision të themelohet dhe të zbardhen të gjitha shkeljet që kanë ndodhur me energjinë elektrike në Kosovë. Nëse vazhdon pushteti t'i ikë përgjegjësisë dhe ta shtyjë themelimin, e konsideroj se aty ka diçka për të fshehur, nuk do të ndalemi derisa ta realizojmë themelimin e komisionit", ka thënë Musliu, njofton Klankosova.tv.
Tutje, ka shtuar se PDK-ja do të shkojë deri në fund që, sipas saj, të bëhet e qartë se çfarë ka ndodhur me procesin e rritjes së çmimit të energjisë elektrike.
●●●
LGSHKRIMI NGA
L. Ga.
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.