Në ditën që i rrumbullakoi tre muaj paraburgim, Nagip Krasniqit iu shtuan edhe dy tjerë. Gjykata Themelore e Prishtinës ia pranoi të mërkurën kërkesën Prokurorisë Speciale për këtë masë ndaj kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës.
Krasniqi dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ushtrim të ndikimit dhe konflikt të interesit, për dy kontrata njëburimore në vlerë mbi 3.5 milionë euro, raporton Klan Kosova.
Vendimin po e kundërshton mbrojtja e tij. Avokati Virtyt Ibrahimaga e cilëson këtë si rast të paprecedent, duke thënë se klienti i tij po mbahet në burg pasi prokuroria "s'po mund ta intervistojë një grusht dëshmitarësh".
Prokuroria s'i ka treguar Klanit nëse është afër ngritjes së aktakuzës.
Por gazetari Shkelzen Dakaj vlerëson se është pushteti që po tenton në forma të ndryshme ta lirojë udhëheqësin e KEK-ut. Sipas tij, tregues për këtë janë mbështetja që i është dhënë Krasniqit nga fillimi i procesit, mosshkarkimi i tij nga pozita në krye të KEK-ut, por vetëm pezullimi, si dhe shkarkimi i udhëheqësit të task-forcës kundër korrupsionit.
Që nga arrestimi më 19 prill, Korporata nuk ka kryeshef me kompetenca të plota, pasi Krasniqit vetëm iu pezullua pozita. Në krye të detyrës, përkohësisht, është ushtruesi i detyrës së zëvendëskryeshefit, Përparim Kabashi.
Gazetari Dakaj vlerëson se mbajtja e ndërmarrjes në këtë gjendje shkon në dëm të saj, sepse nuk mund të përmbushen nevojat ditore që ka, në mungesë të hierarkisë.
Lidhur me menaxhimin në këto kushte, dhe nëse ka plane për emërim të ndonjë kryeshefi të ri, nuk kthyen përgjigje nga KEK-u e as nuk dha koment Ministria e Ekonomisë.
Kronikë e përgatitur nga gazetari Haris Ademi
Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber.
BONUS: Merreni aplikacionin tonë në
Android dhe
iOS.
https://www.youtube.com/watch?v=lDL-mPRIO6Q
●●●
BSHKRIMI NGA
BM
Editorial nga Klan Kosova — ndjek video lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.